Një dëshmitar i prokurorisë tha në rigjykimin e kreut të sigurimit serb të shtetit Jovica Stanisiç dhe zëvendësit të tij në Hagë se lideri famëkeq ushtarak Zheljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, tha se Stanisiçi ishte shefi i tij. Dëshmitari i prokurorisë, Borivoje Saviç, tha në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë të mërkurën se Zeljko Raznatoviç i tha atij në maj 1991 se shefi i shërbimit të sigurimit serb të shtetit, Jovica Stanisiç, ishte shefi i tij. Saviç, një nga themeluesit e Partisë Demokratike Serbe, SDS, në qytetin kroat të Vukovarit, tha se Raznatoviç, lideri paraushtarak dhe krimineli tashmë i vdekur, i tregoi se kush i dha atij urdhra kur u takuan në një kafene në Beograd. Saviç tha në gjyq të martën se Sigurimi i Shtetit në Serbi, SDB, vendosi forcat paraushtarake të Raznatoviçit në zonën e Sllavonisë Lindore të Kroacisë në pranverën e vitit 1991, kur njësitë e tij kryen krime të rënda kundër civilëve joserbë. Gjatë dëshmisë së tij të mërkurën, Saviç tha se burrat e Raznatoviçit dhe forca të tjera paraushtarake serbe ndoqën Ushtrinë Kombëtare Jugosllave, JNA, në fushatën e saj në Kroaci dhe “spastruan” fshatra pas kësaj. “JNA-ja u dha urdhër ushtarëve të saj të mos i dëmtonin civilët, por ata u pasuan nga një ekip që kreu spastrimin. Ata ishin heronjtë që vranë pleq, dogjën dhe plaçkitën shtëpi,” tha dëshmitari.
Saviç dëshmoi në gjyqin e Stanisiçit dhe ish-zëvendësit të tij, Franko Simatoviç, i njohur ndryshe si Frenki. Stanisiç, i cili ishte kreu i SDB-së serbe nga viti 1992, dhe ish-ndihmësi i tij Simatoviçi po rigjykohen për përndjekje, vrasje, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë nga viti 1991 deri më 1995. Sipas akuzave, ata ishin pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviç, që synonte dëbimin me dhunë dhe të përhershëm të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës për të arritur dominim serb. Gjatë marrjes në pyetje, avokati mbrojtës i Stanisiçit Wayne Jordash e pyeti dëshmitarin se çfarë posti mbante zyrtarisht Stanisiçi në maj të vitit 1991. “Nuk e di,” u përgjigj Saviç. Duke komentuar mbi pretendimin e dëshmitarit se sigurimi i shtetit në Serbi kontrollonte Raznatoviçin, avokati i Stanisiçit sugjeroi se Saviç nuk e kishte bërë dot dallimin midis shërbimit dhe Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, shefi i të cilës, Radovan Stojciç, i njohur ndryshe si Badza, ishte aktiv në Sllavoninë Lindore dhe bashkëpunoi ngushtë me Raznatoviçin. “Stojiciç njihej si polic i Millosheviçit. Ai ishte ndihmësministri i Ministrisë së Brendshme të Serbisë, i cili u emërua komandant i Mbrojtjes Territoriale të Borovo Selos në Kroaci. Ai u emërua nga sigurimi i shtetit,” u përgjigj Saviç. Kur u pyet se nga e dinte që armët u dërguan në Sllavoni nga SDB-ja serbe dhe jo, për shembull, nuk ishin futur kontrabandë, dëshmitari u përgjigj: “Kush mund ta siguronte dërgimin e armëve përtej kufirit pa ndërhyrjen e policisë apo ndonjë kontroll tjetër? SDB-ja, kush tjetër?” Stanisiç dhe Simatoviç deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat. Gjykata e apelit vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanisiç dhe Simatoviç u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013. Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj. Marrja në pyetje e Saviçit vazhdon të enjten. (BIRN)