Napoli, Inter, Juventus, Lazio dhe Roma. Janë këto pesë skuadrat kryesuese të Serisë A, me vendin e parë dhe të pestë që ndahen me vetëm shtatë pikë. Që kur në rregulloren e futbollit u vendos që fitorja të vlerësohej me tre pikë, kurrë nuk ka pasur kaq shumë ekuilibër mes skuadrave më të mira të futbollit italian. Së bashku kanë grumbulluar plot 110 pikë në vetëm nëntë javë.
Napoli i Sarrit është skuadra më e bukur, me lojë më të pasur dhe shumë pranë perfeksionit teknik. Një rritje progresive e cilësisë së lojës që kur ekipin e drejton Maurizio Sarri. Mirëpo deri tani nuk ka mjaftuar për të mposhtur Juventusin në rivalitetin për titullin kampion.
Futbolli i Interit nuk është futbolli i Spaletit. Të gjitha skuadrat që ka drejtuar më parë, Empoli, Udinese, Zeniti dhe Roma luanin më mirë se Interi i sotëm. Më një skuadër që ka në përbërje lojtarë me të dhëna të ndryshme, Spaletti po ndjek një linjë tjetër. Nuk dihet nëse Interi do t’ia dalë gjatë këtij sezoni të rrisë nivelin teknik të skuadrës.
Shifrat tregojnë se kemi një Juventusi tranzitor. Është paksa e çuditshme që në një skuadër, ku luajnë Dybala, Higuain, Manxhukiç, por edhe Daglas Kosta, Kuadrado dhe Bernardeski, ai që realizon tre gola në një ndeshje është mesfushori Khedira. Juventusi ka pasur mbrojtjen më të mirë në Itali, por në këtë sezon në 13 ndeshje zyrtare vetëm 5 prej tyre i ka mbyllur pa pësuar. Në total ka marrë 16 gola. Por njëkohësisht ka shënuar shumë, plot 33 herë, 27 vetëm në kampionat.
Lacio është thjeshtë e mrekullueshme në këtë fillim sezoni. Kur e rrit ritmin, me atë mesfushë të jashtëzakonshme që ka, kalon çdo pengesë që i del përpara. Është një skuadër entuziaste, zbulimi i vërtetë i këtij sezoni, jo vetëm për rezultatet që ka arritur, por edhe për lojën që zhvillon.
Di Françesko ka ditur ta kapërcejë skepticizmin që ekzistonte për të kur mori drejtimin e Romës. Ka një dhunti për të ndërtuar një skuadër, mbi të gjitha, me ekuilibër. Ançeloti thotë se është një trajner i mirë, por nuk duhet të qëndrojë një hap pas apo një hap para ekipit. Thjesht duhet ta shoqërojë. Në janar pret përforcime të rëndësishme, për t’i dhënë më shumë forcë një grupi të ekuilibruar.