Aktor shumë i njohur, imitues i paparë i kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj është pikërisht Kreshnik Ibrahimi djaloshi që vjen në një intervistë mbi të rejat e fundit dhe punën që bën në fushën e aktrimit edhe në Gjermani krahas shkëputjes që ka bërë nga skena në Kosovë e Shqipëri. Gjithë këto ai i tregon për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si ndiheni tash që je shkëputur paksa nga kinematografia shqiptare derisa je një nga ikonat e artit shqiptarë?
Duke qenë se kam dy vite që jam zhvendosur në Gjermani sigurisht në fillim kam ndier boshllëk të madh sepse shkëputja nga skena nuk ka qenë hap i lehtë por këtë boshllëk e kam mbushur duke qenë aktiv e duke realizuar dy Stand Up Comedy që i kam shfaqur në qytete të Europës të cilat janë pritur mjaft mirë dhe tani realizoj edhe emisionin për diasporën në bashkëpunim me RTV Dukagjini në Kosovë, emisioni quhet “Ich bin Albaner” ose shqip “Jam shqiptarë”, ky emision ka për qëllim prezantimin e vlerave shqiptare në diasporë dhe njëkohësisht ka edhe natyrë patriotike dhe artistike.
KOHA: Të bezdisin edhe në Gjermani shqiptarët kur të takojnë në rrugë?
Me thënë të drejtën kam gjetur një ambient shumë të ngrohtë dhe mikpritës në komunitetin shqiptarë këtu në Gjermani dhe mbarë Europën ndoshta kjo ka ardhur si rezultat i punës ndër vite dhe njerëzit më bëjnë të ndihem mirë dhe i vlerësuar përkundrazi ndiej kënaqësi kur i takoj.
KOHA: Po “popullariteti” në Kosovës të mungon?
Nuk më mungon se për fat të mirë ose të keq Europa ka plot shqiptarë kështu që ky popullaritet është edhe këtu.
KOHA: Periudha kur ke nisur karrierën ka qenë paksa me konkurrencë të madhe dhe me shumë vështirësi, megjithatë ia ke dal me shumë sukses?
Rruga e suksesit është shumë e vështirë, ky profesion kërkon punë sistematike dhe të vazhdueshme, unë kam filluar i ri që në moshën 16 vjeçe dhe jam rritur me skenën, çelësi i suksesit është të jesh vetvetja të bësh artin tënd dhe duke shikuar përpara, konkurrenca ka punën e vet e unë timen, në fund gjithë kemi një qëllim që është publiku, pastaj kush më shumë e kush më pak kjo pak rëndësi ka sipas mendimit tim.
KOHA: Mban kontakt ende me kolegët e Spektakleve që ke qenë pjesë?
Sigurisht që po, pavarësisht largësisë që jemi kam kontakt qoftë me aktorët që kam luajtur në Kosovë por edhe në Shqipëri, njëkohësisht ruaj kontakte dhe me aktorët që kanë mbaruar studimet në Tiranë dhe shumë kolegë që kam luajtur role të ndryshme në projekte të ndryshme, shkëmbejmë ide dhe mendime për projekte të ndryshme.
KOHA: Një pjesë të madhe të jetës e ke kaluar në Kosovë dhe Shqipëri e më pas je zhvendosur në Gjermani, si ka ndikuar ky vend në formimin e karakterit dhe identitetit tënd?
Normalisht që unë qoftë artistikisht dhe profesionalisht jam ndërtuar në vendim tim kur them vendim tim këtu them për gjithë trojet shqiptare dhe unë 8 vite kam jetuar e vepruar në Shqipëri e Kosovë që ka ndikuar në ndërtimin e karakterit tim, kurse Gjermania nuk ka çfarë të ndërtoj e as të ofroj tek unë, këtu mundem vetëm të përshtatem dhe asgjë më shumë.
KOHA: Cila ishte profesioni i ëndërruar para se të bëhesh aktor?
Kurrë nuk kam ëndërruar asgjë të them seriozisht, që i vogël kam ëndërruar të futem brenda asaj kutisë së vogël që kemi pasur në shtëpi të quajtur televizion, (qesh).
KOHA: Rolet që keni luajtur e reflektojnë personalitetin tënd?
Sigurisht që brenda secilit rol ka diçka tënden, ndoshta jo nga karakteri por nga shpirti po.
KOHA: Për mendimin tënd, çfarë i bën gratë të bukura dhe të veçanta?
Një femër për mua e bën të bukur sinqeriteti kurse të veçantë e bën sjellja.
KOHA: Cili është çelësi i lumturisë për ty?
Ndërgjegjja e pastër dhe të jesh rehat me veten tënde.
KOHA: Cila është këshilla më e mirë që keni marrë nga nëna juaj?
Djali jem mos bëj keq.
KOHA: Po këshilla jote që i jep vajzës?
Për momentin është e vogël se beson që është në gjendje të kuptojë sepse vajza ime Kejsi është vetëm dy vjeçe e katër muaj por kur të rritet besoj që do jetë po e njëjta që më ka bërë nëna ime.
KOHA: Çfarë veshjesh mbizotërojnë në gardërobën tënde?
Të thjeshta shumë, me thënë të drejtën unë nuk jam shumë i dhënë pas veshjes, mendoj se bukuria e njeriut vjen nga veprat e jo nga mënyra si vishet.
KOHA: Një ditë e jotja pushimi si është?
Me familjen time, mundohem të ju plotësoj dëshirat që kanë qoftë me udhëtime ose me vizita në ndonjë vend.
KOHA: Keni menduar edhe për një vëlla apo motër tjetër t’i japish vajzës?
Nuk është që se kam menduar por mendoj që ka kohë…
KOHA: Planet për të ardhmen?
Qëllimet e mia janë që të vazhdoj të jem në shërbim të spektatorit shqiptarë edhe pse larg atdheut, komedinë “Du gru me letra” jam duke e shfaqur nëpër Europë e zhanrit stand up janë të rezervuara deri më tani në shumë qytete në Gjermani e Zvicër, do vazhdoj të realizoj emisionin e ri dhe së shpejti vij me një projekt, serial komedi që realizohet në Zvicër ku jam pjesë e kastit të aktorëve së bashku me Xhevdet Jasharin, Olta Gixharin, Florim Brajshorin, Shqipëri Kelmendin e shumë aktorë të tjerë.