Krerët shtetërorë urojnë festën e Kurban Bajramit

Liderët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut uruan besimtarët muslimanë me rastin e festën Islame të Kurban Bajramit.

Me rastin e festës e cila thekson dhurimin dhe solidaritetin, thuhet në urimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, “uroj që edhe këtë vit Kurban Bajrami të kalojë me shëndet, mirëqenie dhe harmoni, duke u ndihmuar të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë, përkrahje dhe dashuri të pakushtëzuar”.

Presidenti Pendarovski me rastin e Kurban Bajramit, uroi edhe kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepin.

“Më lejoni që të shfrytëzoj këtë mundësi dhe t’u bëj thirrje që edhe më tej në mënyrë të përkushtuar të punojnë në mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë pa marrë parasysh përkatësinë fetare, etnike, apo çfarëdo përkatësie tjetër. Besoj se me përpjekje të përbashkëta përfundimisht do të ndërtojmë një shoqëri në të cilën secili do të ndjehet i barabartë dhe i lirë”, thuhet mes tjerash në urimin e presidentit të shtetit.

Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, uroi besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit, duke dëshiruar ditë të lumtura dhe të qeta, “me dëshira të sinqerta që festa të festohet me disponim dhe shëndet të mirë”.

“Kurban Bajrami është festë e solidaritetit, humanitetit, kujdesit ndaj të tjerëve, unitetit dhe barazisë. Këto janë vlera që duhet të jenë udhëzues i yni i përbashkët në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë. T’i kultivojmë këto vlera si një investim i përbashkët i yni në një të ardhme më të prosperuar. Shkëlqimi i lavdishëm dhe fisnik i kësaj feste qoftë në shtëpitë e të gjithë besimtarëve. Gëzuar festën! “, qëndron në urimin e kryeministrit Zaev.