Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 shtator – Qytetarët e Maqedonisë mund të jenë krenar me bamirësinë e tyre. Sipas Indeksit global të zemërgjerësisë, ato renditen në vendin e 64 në botë në rang listën e 139 shteteve, shkruan gazeta KOHA. Njëherazi, nga shtetet e rajonit mbas nesh në listë janë Kosova që renditet në vendin e 65-të, Shqipëria në vendin e 95-të, Mal i Zi në vendin e 110-të, Kroacia në vendin e 121-të dhe Serbia që gjendet në vendin e 132-të. Nga shtete fqinje, para nesh janë vetëm Sllovenia në vendin e 58-të dhe Bosnje e Hercegovina në vendin e 59-të.
Indeksi botëror i zemërgjerësisë (CAF) shqyrton se si dhe pse njerëzit në mbarë botën japin për bamirësi. Në botimin e tetë të Indeksit Botëror të Dhënave të CAF janë mbledhur të dhëna nga 139 vende, që përfaqësojnë 95 për qind të popullsisë së Botës. Puna në terren e sondazhit është kryer nga Kompania kërkimore e Tregut-Gallup, si pjesë e iniciativës së saj të sondazhit botëror.
Maqedonia në këtë listë renditet e 33-ta në botë për dhurimin e parave, kurse për ndihmë ndaj të huajve është në vendin e 74, ndërkaq në vendin e 105 renditet sa i përket punës vullnetare. Analiza e CAF përfshinë pyetjet për llojet e ndryshme të ndihmave që keni bërë në muajin e kaluar, siç janë ndihma ndaj një të huaji ose dikujt që nuk e dinit se kishte nevojë për ndihmë, paratë e dhuruara për bamirësi, si dhe koha e lirë e që ju e keni kaluar në ndonjë organizatë si vullnetar.
“Pyetjet që përbëjnë indeksin fokusohen në çështjet universale – a japim të holla, a ndajmë kohë ose a ju ndihmojmë të huajve në nevojë. Kjo sjell huti apo konfuzion në pikëpamjet tradicionale të lidhjes midis pasurisë dhe bujarisë, njëherazi duke konfirmuar atë që ne të gjithë e dimë: se dhënia është në frymën dhe motivimin e brendshëm dhe jo tek mjetet financiare”, thotë Sër Xhon Lou, kryeshef ekzekutiv i CAF-it. Sipas raportit, aktiviteti bamirës që njerëzit në vendet e zhvilluara kanë më shumë gjasa të angazhohen është dhurimi i parave në vlerë prej 40 për qind të të ardhurave, ndërsa ata në vendet në zhvillim kanë më shumë gjasa të ndihmojnë një të huaj me 52 për qind. Koha e vullnetarizmit arrin nivele të ngjashme të pjesëmarrjes në vendet e zhvilluara edhe atë me 23 për qind, kurse te vendet në zhvillim me 21 për qind, por është më pak e zakonshme në ekonomitë e tranzicionit, ku vullnetarizmi arrin 15 për qind. Në ndërkohë, ndër pesë vendet e para të listës për bamirësi janë Mianmari, SHBA-të, Zelanda e re, Kanada dhe Australia, ndërsa në pesë vendet e fundit janë Jemeni, Kina, Lituania, Maroko dhe Gjeorgjia.
Vlen të theksohet se përqindja e lartë e njerëzve që dhurojnë para në Mianmar i siguron sërish këtij vendi kreun në renditje. Kjo besohet se ndërlidhet me donacionet e vogla dhe të shpeshta në mbështetje të murgjve që jetojnë me stilin e tyre të jetesës. Supozohet se një rezultat kaq i lartë i Mianmarit, mund të kenë qenë e nxitur edhe nga një ndjenjë e optimizmit përpara zgjedhjeve të para të kontestuara haptazi për 25 vjet. Në fund të vitit 2015, Lidhja Kombëtare për Demokracinë erdhi në pushtet me në krye Aung San Suu Kyi, e cila një kohë të gjatë ishte e përndjekur dhe në opozitë, respektivisht pas dy dekadash të arrestit shtëpiak. Megjithatë, kalimi nga diktatura ushtarake në pushtet civil është një sprovë jashtëzakonisht e vështirë për këtë shtet. Konflikti u përshkallëzua në Mianmar gjatë vitit 2016, me abuzime të mëdha sa i përket të drejtave të të muslimanëve të zhvendosur nga Rohingya, sipas pohimeve të OKB-së dhe agjencive të tjera, thekson raporti i CAF.
Ndryshe, Fondacioni i ndihmave për bamirësi-CAF është një organizatë bamirëse e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, me prani në nëntë vende që mbulojnë gjashtë kontinente. Misioni i saj është të motivojë shoqërinë për të dhënë gjithnjë e më shumë në mënyrë efektive dhe të ndihmojnë në transformimin e jetës dhe komuniteteve në mbarë botën. Ne e bëjmë këtë duke punuar globalisht për të rritur fluksin e fondeve për organizatat bamirëse dhe jofitimprurëse nëpërmjet ofrimit të filantropisë, këshillave dhe shërbimeve, thonë nga CAF. Njëherazi, Indeksi botëror i bamirësisë- CAF ofron një pasqyrë unike ndaj tendencave globale në bujari. Kjo i lejon të japë përgjigje në pyetjet se ku njerëzit kanë më shumë gjasa të angazhohen në aktivitete sociale dhe rritjes së donacionit në suaza globale. Megjithatë, raporti nuk na tregon se cilat janë faktorët që e nxisin rritjen e bujarisë dhe as nuk thekson pengesat që duhet të hiqen.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.