Moskë, 20 janar – Kremlini vlerësoi se përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së varet vetëm nga “vullneti politik” i Xho Bajden, i cili sot në Uashington u betua si presidenti i 46-të i SHBA-së.
“Në Kremlin askush nuk përgatitet për këtë inaugurim. Kjo nuk do të ndryshojë asgjë për Rusinë, e cila, siç ka ndodhur për shumë vite, do ta vazhdojë ekzistimin duke këmbëngulur se ka marrëdhënie të mira me SHBA-në”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Ai shtoi se rringjallja e marrëdhënieve ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit varet nga “vullneti politik” i Bajdenit dhe administratës së tij.
Marrëdhëniet Rusi-SHBA janë në nivelin më të ulët nga Lufta e ftohtë për shkak të mospajtimeve për një numër të madh të çështjeve.
Paraprakisht, presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin njoftoi se ardhja e Bajdenit në Shtëpinë e Bardhë nuk sjell lehtësim.