Si biri i një shkrimtari të shquar të Kosovës, ai e kishte përvetësuar bukur mirë poetikën e narracionit interkomunikues midis dy shoqërive shqiptare, që për rrethana të shumta kishin qenë të detyruara të zhvillohen në ambiente të ndryshme administrative. Më mirë se asnjëherë më pare, ky komunikim madje u vendos në binarët e një protokolli shumë aktiv, të cilin e kishte përpiluar jo pa mund ambasadori Hysa
Nga Emin AZEMI
Ambasadorët nuk janë thjeshtë korrierë të shteteve të tyre. Ata, më shumë se kaq, janë hallka e rëndësishme në mes të popujve që ndajnë gjeografi e interesa të ndryshme. Sa më aktiv dhe më të formuar kulturalisht të jenë ambasadorët, aq më të ngushta janë edhe diferencat midis këtyre interesave.
Në Shkup, tash e disa vite Kosova pati një përfaqësues mjaft dinjitoz, që diplomacinë e këtij vendi e prezantoi jo thjeshtë nga pozita e ambasadorit, por të një intelektuali, i cili vokacionin e historianit e kishte shkri në një përvojë e cila dallimet i kthente në mirëkuptim, kurse paragjykimet në perceptim pozitiv.
Historia e njohjeve personale me shumë personalitet publike nga bota shqiptare këtu në Maqedoni, për Ylber Hysën filloi qysh në vitet nëntëdhjetë, atëherë kur Prishtina vazhdonte të ishte piemonti socio-politik e kulturor i gjithë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Si biri i një shkrimtari të shquar të Kosovës, ai e kishte përvetësuar bukur mirë poetikën e narracionit interkomunikues midis dy shoqërive shqiptare, që për rrethana të shumta kishin qenë të detyruara të zhvillohen në ambiente të ndryshme administrative. Më mirë se asnjëherë më pare, ky komunikim madje u vendos në binarët e një protokolli shumë aktiv, të cilin e kishte përpiluar jo pa mund ambasadori Hysa,kuptohet në bashkëpunim me ekspertë reciprok të të dy vendeve.
Shkupi për shumë vite ishte bërë vorbull e interesimeve e prirjeve gjeopolitike, kurse diplomatët që shërbyen këtu, kush më shumë e kush më pak, ishin munduar të marrin dhe të japin përvoja, ndërkohë që Ylber Hysa ishte ndër të rrallët që dha invencionin e tij intelektual dhe shkathtësinë e diplomatit për ta ngritur në kuota të lakmueshme përfitimet që dilnin nga relacionet politike, tregtare, kulturore midis Maqedonisë e Kosovës.
Jo moti Republika e Kosovës ishte mikpritëse e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe ambasadori Hysa ishte hallka e rëndësishme që i do ti japë kësaj vizite gjurmët e një protokolli me efekte konkrete në përgatitjen teknike të mëse 12 marrëveshjeve, ratifikimi i të cilave pritet të ndodhë shumë shpejt, posa të kthehen në normalitet turbulencat politike të të dyja vendeve.
Sa here që do ta kalojmë (vetëm më letërnjoftim) kufirin Kosovë-Maqedoni dhe sa herë që do ta shkelim autostradën që lidhë këto dy vende, bashkë me vendkalimin Bellanocë-Staniq, që pritet të hapet shumë shpejt edhe zyrtarisht, do të na kujtohet ambasadori Ylber Hysa (mandati i të cilit pritet të përfundojë këtyre ditëve), edhe kontributi i tij i drejtpërdrejt në çuarjen përpara të këtyre projekteve me të cilat ai u mor gjatë shërbimit diplomatik në Shkup.
Profili i ambasadorit Ylber Hysa nuk do të përmbyllet këtu, sepse karriera e tij është në ngritje, ashtu siç do të ngritet në nivele admirimi edhe respekti i shqiptarëve të Maqedonisë për rolin dhe kontributin e tij në detektimin e adresave që e bëjnë më të kollajtë komunikimin midis dy vendeve. (koha.mk)