Shoqatat e pensionistëve kanë kërkuar nga bankat dhe kompanitë e sigurimeve që të rrisin kufirin e moshës për miratimin e kredive dhe për sigurimin e pensionistëve në 75 vjet, duke marrë parasysh se është zgjatur mosha e pensionistëve në vend
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 shtator – Shoqatat e pensionistëve në Maqedoni në vazhdimësi po kërkojnë lehtësimin e kushteve për pensionistët në shtet që shpesh me vështirësi marrin kredi në banka, edhe pse shumica e tyre janë në gjendje të shëndoshë dhe aktiv. Lidhja e Pensionistëve së fundmi sërish ka aktualizuar lehtësimin e kushteve që mbi 300 mijë pensionistë në Maqedoni t’ju lehtësohet marrja e kredive duke marrë parasysh se ato kanë të ardhura të rregullat, si dhe me kohë kthejnë këstet mujore, shkruan gazeta KOHA. “Vlerësojmë se nevojitet që të mos kufizohen pensionistët sipas moshës, si dhe nevojitet që të zgjaten vitet për fitimin dhe pagesën e kredive. Gjithashtu duhet theksuar se si garanci për kërkesat kreditore mund të jenë edhe fëmijët e pensionistëve apo anëtarët e tjerë të familjes apo banka mund të kërkojë edhe lloje të tjera të garancive”, thonë nga Lidhja e Pensionistëve.
Edhe në të kaluarën nga shoqatat e pensionistëve kanë kërkuar nga bankat dhe kompanitë e sigurimeve që të rrisin kufirin e moshës për miratimin e kredive dhe për sigurimin e pensionistëve në 75 vjet, duke marrë parasysh se është zgjatur mosha e pensionistëve në vend , ndërsa shumica e tyre janë të shëndoshë dhe aktiv. Ndonëse një pjesë e caktuar e bankave në shtet edhe kanë përmirësuar kushte e kredimarrjes për pensionistët, megjithatë vlerësohet se akoma ka hapësirë dhe mundësi për korrigjime të mëtejshme. Pensionistët në Maqedoni në shumicën e rasteve hyjnë në borxh në banka për të ndihmuar fëmijët e tyre me të cilat jetojnë bashkërisht nën një kulm, për të rinovuar shtëpitë bankat, blerë orendi të ndryshme , teknikë të bardhë apo thjesht për të ndihmuar gjeneratat e reja që të kapërcejnë hendekun midis të ardhurave dhe kërkesave dhe nevojave të ndryshme në një familje.
Bankat më të mëdha në vend përcaktojnë kushte të ndryshme për miratimin e kredive për pensionistët ku për shembull në Bankën Komerciale nuk duhet që gjatë pagesës së këstit të fundit që kërkuesi i kredisë të ketë më shumë se 72 vjet. Në këtë bankë për pensionistet ofrohen kredi prej 10.000.00 deri 350.000.00 denarë me afat të kthimit prej 12 deri 48 muaj. Njëherësh garantuesit e kthimit të kredisë duhet të jenë të punësuar në firma të pranueshme për bankat, ndërsa gjatë arritjes për pagesës të këstit të fundit, mosha e garantuesit nuk guxon të tejkalojë 62 vjet për gra dhe 64 vjet për burra. Gjithashtu për kredi deri në 100 mijë denarë nuk ka nevojë për garant.
Edhe në Sparkase Banka, mosha gjatë kthimit të këstit të fundit të kredisë nuk guxon të kalojë 70 vjet, ndërsa ofrohen kredi prej 120 mijë denarë me afat kthimi deri 60 muaj, ndërsa afati i kthimit për shumat prej 120 mijë deri 700 mijë denarë është deri në 72 muaj. Në Tutunska Banka, kufiri i moshës për kreditimin e pensionistëve është deri 75 vjet, apo kjo është mosha që nuk duhet ta tejkalojë personi si afat përfundimtar i pagesës së kredisë. Në këtë bankë ndër të tjerash ofrohen kredi deri 900 mijë denarë me afat të kthimit deri në 96 muaj.
Në Bankën Qendrore Koperative gjithashtu nuk guxon që gjatë kthimit të këstit të fundit që pensionisti të jetë më i moshuar se 72 vjet, ndërsa në Bankën Euro Standard, kufiri i moshës është 73 vjet. Në Stopanska Banka, nëse ka edhe një kërkues tjetër të kredisë apo garantues, për klientin me pagë apo pension në këtë bankë, mosha e klientit duhet të jetë deri në 70 vjet në ditën e pagesës së kredisë. (koha.mk)