Kredia për çelje biznesi zë një peshë modeste prej më pak se 2% e portofolit të kredisë bankare në Shqipëri. Përgjithësisht, bankat tregtare nuk mbështesin biznese pa një historik të mirëfilltë, të llojit start up
Kredia për çelje biznesi ka pësuar stopim të ndjeshëm nga kriza. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit gusht, portofoli i kredisë për çelje biznesesh kishte vlerën e 9 miliardë lekëve, në rënie me rreth 6.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë muajve mars, maj dhe qershor, flukset e reja të kredive për çelje biznesi kanë qenë zero, çka dëshmon se ky produkt është prekur ndjeshëm nga kriza ekonomike që solli pandemia e Covid-19. Tendenca e këtij produkti është e kundërt me ecurinë e kredisë për ekonominë dhe e kredisë për biznesin në veçanti. Në fund të gushtit, portofoli i kredisë për biznesin rezultoi në rritje me rreth 7.5%.
Cikli që ka hyrë ekonomia pas muajit mars nuk favorizon shumë projektet e reja dhe as mbështetjen e tyre nga institucionet e kredidhënies. Mbyllja e ekonomisë në periudhën mars-maj solli edhe mbylljen e dhjetëra mijë bizneseve, ndërsa rikuperimi i numrit të tyre ka qenë i pjesshëm gjatë muajve në vijim. Kredia për çelje biznesi zë një peshë modeste prej më pak se 2% e portofolit të kredisë bankare në Shqipëri. Përgjithësisht, bankat tregtare nuk mbështesin biznese pa një historik të mirëfilltë, të llojit start up. Portofoli aktual i bankave lidhet kryesisht me projekte dhe sipërmarrje të reja të bizneseve ekzistuese, që mund të jenë klientë të hershëm të bankave dhe që mund të ofrojnë garanci të lidhura me aktivitetet e tjera të tyre.
Ndërkohë, institucionet e mikrofinancës janë më të predispozuara të mbështesin nismat e reja, kryesisht në nivel të mikrobizneseve. Linja të tilla financimi zakonisht mbështeten nga fondacione zhvillimi dhe kanë në fokus sektorë të veçantë të ekonomisë, si për shembull bujqësia apo turizmi. Megjithatë, financimi nga institucionet e mikrokredisë zakonisht është më shtrenjtë në raport me interesat që ofron sektori bankar.