Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 maj – Në vitet e fundit është rritur numri i kredive për rifinancimin e borxheve që qytetarët i kanë në banka të ndryshme. Minuset në kartela dhe borxhet e vjetra për kredi konsumatore, banesore apo për veturë, qytetarët se vjen e më shumë i bashkojnë në një kredi të vetme, shkruan gazeta KOHA. Bankierët thonë se në periudhën e fundit shtohen kërkesat për refinancim të borxheve të vjetra për shkak se borxhet e ndryshme ndaj më shumë bankave i lodhin klientët e tyre që dëshirojnë me një kredi të vetme të mbulojnë të gjitha borxhet, qofshin ato për kartelat kreditore apo për kredi për kulm mbi kokë. Kjo lloj kredie nënkupton zëvendësimin e borxhit ekzistues ndaj bankës me kredi të ri, me një shumë të njëjtë dhe mjete të njëjta të sigurimit, por me kushte më të volitshme me kamatë më të ulët, afat më të gjatë pagese dhe grejs periudhë të volitshme të anulimit të pagesës së borxhit. Gjithashtu, edhe ulja e butë e kamatave ka ndikuar në rritjen e interesimit për zbutjen e presionit nga borxhet e ndryshme nëpër banka dhe sipas qytetarëve, paraqet të vetmen mundësi për mbulimin e tyre.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, një pjesë e madhe e kredive konsumatore merren për refinancimin e borxheve ekzistuese. “Nga aspekti i afatit të pagesës, kreditimi afatgjatë edhe më tej mbetet mbështetës kryesor i aktivitetit kreditor që në vitin 2016 është rritur në mënyrë shtesë. Njëherazi afër 78 për qind e rritjes së kredive afatgjate dalin nga sektori i amvisërive. Kreditë afatgjate të amvisërive u rritën në vitin 2016 për 12.147 milion denarë, si rrjedhojë kryesisht e rritjes së kredive afatgjate për 7.089 milion denarë dhe më pak rritja është mbështetur nga rritja e kredive afatgjate në denarë me klauzolë devizore prej 4.380 milionë denarë”, thonë analizat e Bankës Popullore të Maqedonisë për punën e sektorit bankar në vitin 2016. Sipas analizave, në fund të dhjetorit në totalin e kredive me 47.8 për qind marrin pjesë kreditë konsumatore, dhe me nga 25 për qind marrin pjesë kreditë banesore dhe saldot negative në llogaritë rrjedhëse së bashku me kartelat kreditore. Bankierët thonë se rritet interesimi për kreditë e refinancimit të obligimeve në bankat e tjera. Sipas tyre, nevoja nga këto lloj kredish paraqitet për shkak të obligimeve të mëdha që i kanë qytetarët në kartelat kreditore ose të ashtuquajturat instant kredi të shpejta, që janë me kamata më të larta dhe me afate më të shkurtër të kthimit. Klientët që të mundet që të shlyejnë obligimet e arritura vendosin për konsolidimin e të gjithë borxheve në më shumë banka dhe të më shumë produkteve bankare me vetëm një lloj të kredisë për refinancim me një bankë. “Kishim dasmën e djalit para tre vitesh për çka morëm kredi prej 8000 euro, ndërsa njëherazi kisha edhe dy kartela të hapura. Andaj pagesa mujore e kësteve me të vërtet paraqiste një ngarkesë për çdo muaj për mua dhe familjen time. Vendosa të marr kredi për refinancim, me të cilën i mbulova borxhet paraprake. Nuk e di sa shpaguhet në aspektin ekonomik në një periudhë afatgjate një gjë e tillë, për shkak të kësteve të kamatave, por mund të them se në nivel mujor kjo paraqet një lehtësim të madh për shkak se kthej borxhin në vetëm një bankë”, shpjegon Hasani, punonjës në administratë. Edhe qytetarët e tjerë shprehen të kënaqur me përdorimin e kredive për refinancim të borxheve. “Shkallët e kamatave të kredive banesore janë ulur dukshëm, andaj me sugjerimin e një miku që punon në një bankë vendosa ta refinancoj kredinë banesore. Kushtet tani janë shumë më të volitshme me këst më të ulët mujor dhe me zvogëlim në 20 vjet të afatit të pagesës .Gjithashtu për kredi prej 30 mijë euro për të cilin më parë duhej të kthenin mbi 60 mijë euro, tani me kredinë e re do të kthejmë afër 50 mijë euro” tregon për KOHA përvojën e tij me refinancimin e kredisë të para dy viteve , Artani nga Shkupi.
Në ndërkohë, shumica e bankave në vend ofrojnë prodhim të ri për refinancimin e tërësishëm e të gjitha llojeve të obligimeve dhe konsolidimin e tyre në një kredi të vetëm. Ky është kredi që nënkupton zëvendësimin e borxhit ekzistues ndaj bankës me kredi të ri , me një shumë të njëjtë dhe mjete të njëjta të sigurimit , por me kushte më të volitshme me kamatë më të ulët , afat më të gjatë pagese dhe grejs periudhë. Kreditë për refinancim janë të dedikuara për personat fizik , gjegjësisht qytetarët që janë në marrëdhënie të rregullt pune dhe kanë histori të rregullt kreditore .Bankierët këshillojnë që para se të vendosni të merrni kredi me kushte më të volitshme që të paguani borxhet e vjetra, të bëni llogari dhe të keni kujdes për afatin e pagesës, llojin e shkallës së kamatës, dhe kushtet e tjera. Me fjalë të tjera, refinancimi mund të jetë mbështetje për të gjithë që dëshirojnë të jenë më komod me harxhimet mujore dhe kursimin duke thjeshtësuar llogarinë financiare dhe planifikimin e harxhimeve. Disa nga bankat vendore ofrojnë kredi për refinancimin e të gjitha borxheve edhe me pagë prej 15 mijë denarë me kredi prej 10-15 mijë euro me kamatë fikse prej 5.9 për qind në dy vitet e para dhe të ndryshueshme në vitet e tjera me afat pagese deri në 95 muaj. Bankat e tjera ofrojnë kredi refinancimi prej 5000 deri 50 mijë euro me pjesëmarrje të 50 për qind të pagës në kredinë e re, me afat pagese prej 12 deri 240 muaj , me kamatë fikse prej 4.9 për qind në dy vitet e para dhe të ndryshueshme në vitet e tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara