Qeveria deri në fund të vitit 2022 duhet të kthejë borxhin në vlerë prej 2.3 miliard euro, ndërsa që të minusohet deficiti buxhetor, Qeveria planifikon që deri në fund të vitit 2019 të futet në borxhe të reja tek institucionet e huaja financiare në vlerë prej 441 milionë euro dhe 399 milionë euro në vitin 2020
Zejnulla VESELI
Shkup, 3 qershor – Në tre muajt e parë të këtij viti, borxhi publik i Maqedonisë së Veriut është rritur për 40 milionë euro dhe tani kap shifrën totale prej 5 miliard e 424 milionë euro. Sipas strategjisë fiskale për borxhin publik deri më vitin 2022 të Ministrisë së Financave, duhet të rritet në 6.5 miliard euro që do të thotë se do të tejkalon 53 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor (BPV), shkruan gazeta KOHA. Qeveria deri në fund të vitit 2022 duhet të kthejë borxhin në vlerë prej 2.3 miliard euro. Sipas Strategjisë fiskale të cilën e Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi në seancën e fundit, bëhet fjalë për pagesa të borxhit të vjetër që financohej deficiti buxhetor gjatë viteve të kaluara.
“Tani ka ardhur koha që të paguhen këto borxhe të vjetra dhe një pjesë e këtyre borxheve do të kthehen me marrjen e huave të reja. Qeveria do të bëjë çmos që të kontrollojë borxhin publik. Prandaj edhe përkundër parashikimeve se do të ketë trend të rritjes se borxhit të publik, Qeveria do të stabilizojë minusin buxhetor, por edhe borxhin e shtetit ndaj institucioneve financiare të huaja”, thuhet në Strategjinë për kthimin e borxhit publik. Sipas projeksioneve të Strategjisë, teposhtëza e borxhit publik dhe rritja mesatare e borxhit të garantuar për shkak të projekteve infrastrukturore, do të rezultojë me rritje të matur të borxhit publik total.
“Borxhi publik deri në fund të këtij do të shkon në 51.7 për qind nga BPV-ja dhe 52.3 për qind në vitin 2020 e më pas do të zvogëlohet në 50.8 për qind në vitin 2021, ndërsa në vitin 2022 borxhin publik do të ulet në 49.1 për qind. Kjo do të thotë se në periudhën e ardhshme, borxhi publik nuk do të rrezikojë ruajtjen e politikës fiskale”, thuhet të Strategjinë për kthimin e borxhit publik deri në fund të vitit 2022.
Ndryshe, Ministria e Financave planifikon të vendos limite për shpenzimet buxhetore gjatë viteve të ardhshme që të mund të zvogëlojë deficitin buxhetor. “Me qëllim të përforcimit të disiplinës fiskale, Strategjia fiskale afatmesëm vendos limite të shpenzimeve buxhetore dhe atë limite të përgjithshme dhe limite për shfrytëzuesit buxhetor. Në këtë drejtim, shkalla e rritjes së shpenzimeve të përgjithshme të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të ngadalësohet nga 14.2 për qind në vitin 2019 në 5.2 për qind në vitin 2022. Në kombinim janë pritjet e të hyrave në buxhet, që do të sigurojnë shtrëngimin e deficitin të përgjithshëm buxhetor nga 2.5 për qind nga BPV në vitin 2019 në 2.3 për qind në vitin 2020 dhe në 2 për qind në vitin 2021 dhe 2022”, thuhet në Strategjinë fiskale për kthimin borxhit publik. Gjatë dy viteve të ardhshme, detyrimet e RMV-së për pagesën e borxheve të vjetra do të rriten. “Sfidë e veçantë pritet të jetë viti 2020 dhe 2021 kur arrin pagesa e euroblogacioneve të emetuara në vitin 2014 dhe 2015 në vlerë totale prej 770 milionë euro, si dhe kësti i dytë i huas së garantuar nga Banka Botërorë në vlerë prej 155 milionë” thuhet në Strategji. Që të mund në kohë të kthehen borxhet e vjetra dhe të minusohet deficiti buxhetor, Qeveria planifikon deri në fund të vitit 2019 të futet në borxhe të reja tek institucionet e huaja financiare në vlerë prej 441 milionë euro dhe 399 milionë euro në vitin 2020. (koha.mk)