Të jetosh në pandemi do të thotë dukshëm të rrisësh harxhimet për ushqimin, medikamente, por edhe nevojat tjera themelore. Përveç kredive që kanë marr një pjesë e dibranëve, ka një prezencë të theksuar edhe të huamarrjeve që merren nga të afërmit e tyre. Sidomos marrjen e huave e kanë shfrytëzuar familjet që kanë patur probleme shëndetësore
Vjollca SADIKU
Dibër, 10 prill – Jeta e dibranëve gjatë pandemisë ka ndikuar negativisht në aspektin e gjendjes materiale. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të detyruar që për shkaqe të shërimit, por edhe të humbjes të vendeve të punës dhe harxhimeve të shtuara, t’i drejtohen bankave për kredi, por shpeshherë duke marrë edhe borxhe nga të afërmit dhe miqtë e tyre. Kjo situatë e përgjithshme ka rënduar jetën e dibranëve, sidomos atyre që humbën vendet e punës.
Të dhënat jozyrtare të disa nga filialet e bankave që funksionojnë në Dibër, thonë se ka një rritje të marrjes së kredive, jo vetëm nga familjet me probleme sociale, por edhe nga familje dhe personat të cilët i takojnë klasës së mesme. Të jetosh në pandemi do të thotë dukshëm të rrisësh harxhimet për ushqimin, medikamente, por edhe nevojat tjera themelore. Përveç kredive që kanë marr një pjesë e dibranëve, ka një prezencë të theksuar edhe të huamarrjeve që merren nga të afërmit e tyre. Sidomos marrjen e huave e kanë shfrytëzuar familjet që kanë patur probleme shëndetësore. Duke marr parasysh se deri sot – nga fillimi i pandemisë mbi 800 dibranë kanë qenë pozitiv me Kovid-19, ata kanë qenë të detyruar edhe të shërohen. Në bisedën që patëm me disa nga të shëruarit në klinikat private në Shkup, u informuam se për shërimin e tyre kanë harxhuar madje deri në 10 mijë euro. Por harxhime kanë patur edhe ata të cilët u hospitalizuan në klinikën shtetërore. Në bisedën me familjarët e këtyre pacientëve , u informuam se edhe hospitalizimi në klinikat e shtetit në Shkup ka kërkuar mjete të shumta. Për fat të keq, Dibra ka patur edhe 38 raste, të cilët humbën jetën nga Kovid-19 dhe familjarët përveç dhimbjes që kanë patur, kanë patur edhe harxhime të mëdha.
Një situatë e këtillë dukshëm ka rënduar buxhetet familjare që do të thotë se rrugëdalja ka qenë tek marrja e kredive apo marrja e borxheve. Për këtë shkak, si asnjëherë deri tani – në rrjetin tregtar të Dibrës listat e borxhlinjve janë shtuar disa herë më shumë në krahasim me vitet e mëparshme. Ekzistenca familjare pa marrë parasysh standardin që ka patur familja, ka kërkuar artikuj ushqimor. Patëm biseda rreth këtij problemi edhe me të rinj të cilët kanë humbur vendet e punës. N.S, 43 vjeç, ka punuar disa vite si kamerier dhe me fillimin e pandemisë, ka ngel pa punë.
Sipas tij, meqë ka ngel pa punë – ka qenë i detyruar që nga më të afërmit e tij të merr borxh për të mbijetuar ai dhe anëtarët e familjes të tij. T.V është afër 50 vjeç dhe me automjetin e tij punon si taksist. Nuk ka pas licencë, por ka punuar në kontinuitet dhe thotë se pandemia ia ka këput edhe atë kafshatë buke që ka siguruar për të ushqyer fëmijët e tij. Këto janë vetëm dy raste të ngjashme me shumë raste të tjera të dibranëve që ngelën pa punë gjatë pandemisë. Të dhënat të sektorit privat siç janë kafiteritë, restorantet , butiqet, shitoret e ndryshme tregtare, artarët dhe të tjerët, thonë se gjatë një viti – numri i të rinjve që kanë ngelur pa punë e që më parë kanë punuar në këtë sektor – është mbi 70. Pra bëhet fjalë për afër 70 familje që drejtpërdrejt pësuan nga pandemia dhe sot enden nëpër qytet pa punë. Një ndihmesë nga diaspora dibrane nuk ka munguar për shumë familje, por nga ajo nuk mund të jetohet – thonë disa nga bashkëbiseduesit tanë. Po ashtu, sipas tyre, edhe ndihma që i ka dhënë qeveria në para është tepër minimale për të mbijetuar.
GODITEN EDHE FAMILJET STABILE EKONOMIKISHT
Edhe familjet që kanë një jetë mesatare kanë qenë të ngarkuar dhe kanë patur harxhime shtesë gjatë pandemisë. Mësimi onlajn i ka ngarkuar dukshëm me faturat për internet, po ashtu dukshëm është rritur edhe harxhimi i parave për të ngrohur dhomat ku fëmijët e tyre mbajnë mësimin në distancë. Kjo do të thotë se goditja materiale e pandemisë ka shkaktuar shumë telashe tek familjet dibrane. Por tani kur ka filluar faza e vaksinimit kundër Kovid-19, ka lindur një shpresë tek shumica e popullatës se do të kthehet optimizmi për jetën e mëparshme. Në këtë drejtim, po ashtu është për të theksuar edhe dëshirën që kanë pjesa dërmuese e dibranëve për ti parë të afërmit e tyre që i kanë në diasporë. Për shkak të pandemisë, ata komunikojnë vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale dhe me padurim presin një ditë dhe kohëra më të mira që të takojnë gjakun e tyre që sot jeton në shtetet e Evropës dhe në SHBA. (koha.mk)