KREDI EDHE PËR AJFON! Vazhdon zhytja në borxhe

63

Të dhënat e fundit tregojnë se për një vit është rritur borxhi i qytetarëve për më shumë se 250 milionë euro. Në muajin qershor të këtij viti, borxhi i amvisërive ka arritur në 3 miliardë e 153 milionë euro në raport me 2 miliardë e 900 milionë euro sa ishte në qershor të vitit 2020

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 24 korrik – Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të zhyten në borxhe nëpër banka, madje jo vetëm për luks, por edhe për mbijetesë. Këtë e tregon rritja e vazhdueshme e kredive për personat fizik në bankat vendore. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se për një vit është rritur borxhi i qytetarëve për më shumë se 250 milionë euro. Në muajin qershor të këtij viti, borxhi i amvisërive ka arritur në 3 miliardë e 153 milionë euro në raport me 2 miliardë e 900 milionë euro në qershor të vitit 2020. “Kreditë e amvisërive në muajin qershor janë rritur për 1.3 për qind në raport me muajin paraprak, si rrjedhojë e rritjes së kredive në denarë dhe deviza. Në nivel vjetor, rritja e kredive për amvisëritë është 8.7 për qind dhe buron kryesisht nga kreditë në denarë, por me një kontribut pozitiv edhe të kredive në valutë të huaj”, thonë nga Banka Popullore.

Nga totali i kredive, gjysma apo afër 1.7 miliardë euro janë kredi konsumatore, afër 1 miliardë euro janë për kredi banesore, afër 170 milionë euro është borxhi për kartelat kreditore, ndërsa 105 milionë euro është borxhi për minuset në llogaritë rrjedhëse . Qytetarët shumë pak janë të interesuar të marrin kredi për blerjen e veturave dhe për këtë lloj kredie – kanë borxhe prej afër 4 milionë euro. Ekonomistët thonë se jetesa pa kredi gati është e pamundur për shumicën e qytetarëve që kanë paga të rregullta. “Edhe rritja e madhe e kërkesave për kredi të shpejta që ndoshta me vlerën prej dhjetëra miliona euro nuk është e madhe që shfrytëzohen për blerjen të një ajfoni apo për shkuarjen në një pushim javor, e të mos flasim për qytetarët që me vite një borxh e zëvendësojnë me tjetrin në bankat e ndryshme… flet se kreditë mbulojnë të ardhurat e pamjaftueshme mujore të qytetarëve në vend”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi.

Sipas tij, jetesa me këste është shndërruar në përditshmëri, jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë, por edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Harxhimet e jetesës po rriten në vazhdimësi vitet e fundit, ndërsa pagat shumë ngadalë po përcjellin rritjen e kostos së jetesës. Edhe një pjesë madhe e pagave nuk arrijnë as 28 mijë denarë sa është paga mesatare, por variojnë prej 18 deri 24 mijë denarë, andaj qytetarët kërkojnë qare për të paguar borxhet e ndryshme si rinovimet e shtëpive, blerjen e teknikës së bardhë…”, shton më tej Turkeshi. Ekspertët ekonomik presin që edhe më tej të vazhdojë kërkesa dhe dhënie e mëtejshme e kredive konsumatore për shkak të rritjes së nevojës së familjeve në raport me pagat mujore që nuk mbulojnë harxhimet e ndryshme dhe kërkesat e amvisërive. Ato bëjnë thirrje që qytetarët që janë të detyruar të marrin kreditë konsumatore të kenë kujdes për lartësinë e shkallës së kamatës në periudhën fikse dhe të qëndrueshme, afatin e pagesës, si dhe harxhimet për aplikim për kredi. (koha.mk)