Autoritetet shtetërore, kanë premtuar se do të ndihmojnë kompanitë dhe të gjithë kategoritë e qytetareve për ta kaluar krizën ekonomike. Për këtë qëllim Qeveria, ka përgatitur pakon e katërt ekonomike për ta kaluar krizën me virusin korona
Zenel MIFTARI
Shkup, 15 tetor – Rroga minimale në Maqedoninë e Veriut është 14,500 denarë, ndërkaq shporta mesatare për një familja katër anëtarësh në vendin tonë sipas statistikave të Entit Shtetëror është rreth 32.000 denarë. Partia në pushtet, LSDM para zgjedhjeve ka premtuar rritje të rrogës minimale në 16.000 denarë për të gjithë punonjësit por për një gjë të tillë ende nuk është ngritur asnjë iniciativë. Qytetarët dhe ekspertët financiar, janë skeptikë se do të rritet rroga minimale duke pasur parasysh krizën financiare dhe deficitin financiar të shkaktuar nga virusi korona.
Ndërkohë që kriza shëndetësore me virusin korona e ka rënduar edhe më shumë gjendjen financiare dhe ka zbrazë xhepat e kryefamiljareve. Masat restriktive për ta parandaluar përhapjen e shpejt të virusit korona, ndikuan në rritjen e pa punësisë duke mbyllë shumë biznese dhe kompani të ndryshme detyroi që për shkak humbjes së madhe që u shkaktua të përjashtojnë një numër të madh të punëtoreve. Autoritetet shtetërore, kanë premtuar se do të ndihmojnë kompanitë dhe të gjithë kategoritë e qytetareve për ta kaluar krizën ekonomike. Për këtë qëllim Qeveria, ka përgatitur pakon e katërt ekonomike për ta kaluar krizën me virusin korona. Në këtë pako, parashikohet të ndihmohen kompanitë me pagesë të pagave për tremujorin e fundit të vitit, kartela pagesore për disa kategori të qytetarëve, grante për sektorët më të goditur gjatë krizës me virusin korona, spektër i gjerë për lirimin ose lehtësimin e disa pagesave parafiskale dhe vazhdimin e grejs periudhës për kreditë bankare.
Pedagogu universitar, Ali Maksuti, për gazetën KOHA, është shprehur se Maqedonia e Veriut përballet me krizën ekonomike çdo vit e më shumë. Siç tha ai, kostoja e konsumit rritet vazhdimisht ndërkaq të hyrat po zvogëlohen. “Edhe pse Qeveria rrogën minimale viteve të fundit e ka rritur nga 9.000 denarë sa ishte në fillim të Qeverisjes në 14,500 denarë, por që nga ana tjetër kemi edhe rritje të kostove të konsumit, ku shporta mesatare në proporcion me rrogën minimale rritet dhe nuk ka aspak efekt pozitiv. Tani, duke u përballuar edhe me pandeminë, Maqedonia Veriore futet në shtetet me krizë serioze ekonomike. Si pasoj e kësaj, kemi familje që ju rritet numri i të papunësuarve, punëdhënësit po i ulin rrogat me minimalen, kurse shpenzimet si të konsumit si shpenzimet e dimrit, shkollimit, fillimi i pagesave të kredive janë duke e ngulfatur edhe më shumë krizën ekonomike në familje”, nënvizon Maksuti. Sipas tij, si zgjidhje e përkohshme për të përballuar këtë periudhë të dimrit me pandeminë duhet ndërhyrja e shtetit edhe njëherë, tregu nuk mund të zgjidh vet këtë problem, duke orientuar në uljen e kostove publike dhe investimeve kapitale të paraparë në buxhet. “Këto mjete duhet të orientohen në paketa sociale për familjet, paketa për biznesin e vogël dhe të mesëm, dhënien e huave me kamatë minimale ose pa kamatë nga Banka për Zhvillim për uljen e papunësisë”, përfundoj Maksuti. Ndryshe, Maqedonia e Veriut, do të merr ndihmë financiare nga BE-ja deri në 80 milionë euro. Këto do të jenë ndihma në formë kredie afatgjate që do të jenë në dispozicion të Qeverisë. (koha.mk)