Shkup, 27 tetor – Në Tiranë sot janë miratuar konkluzionet për zbatimin e Deklaratës për integrimin e romëve, kumtuan nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim. Në këtë takim morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Saphaska, si përfaqësues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Konkluzione të përbashkëta mbi zbatimin e Deklaratës për integrimin e romëve në Ballkanin Perëndimor, të miratuar vitin e kaluar në samitin në Poznanj, janë rezultati i takimit të sotëm ministror në Tiranë të vendeve të rajonit, në organizim të Qeverisë shqiptare dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (KRB), ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian.
Konkluzionet i referohen legalizimit dhe sigurimit të strehimit adekuat të romëve, ku RSS duhet të lehtësojë këtë proces, çrrënjosjen e pashtetësisë dhe mekanizmat për parandalimin e tij, buxhetimin e përgjegjshëm për çështjet rome, pjesëmarrjen e Ballkanit Perëndimor në kornizën strategjike të BE-së për barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje të romëve për periudhën 2020-2030 dhe të tjera”, kumtoi KRB.
“Integrimi i romëve nuk duhet të jetë çështje ndjeshmërie ndaj një grupi të rrezikuar, por çështje e parimit të trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve”, tha në takim Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e KRB.
Ajo prezantoi të dhënat se romët janë grupi më i prekshëm i popullsisë në Ballkanin Perëndimor, sepse 88 për qind jetojnë në një situatë të vështirë financiare, madje një në dy romë nuk mund të sigurojë ushqim çdo ditë, vetëm 16 për qind janë të punësuar, ndërsa pothuajse 10 për qind nuk kanë as letërnjoftim.
Komisari i KE-së për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varhei shprehu besimin se plani i ri i investimeve të Unionit për Ballkanin Perëndimor do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në këtë çështje.
“Angazhimi juaj personal në integrimin e romëve është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Unë pres që ju dhe udhëheqësit tuaj në samitin e ardhshëm në Sofje të riafirmoni angazhimin tuaj për arritjen e rezultateve në fusha të rëndësishme, veçanërisht në fushën e arsimit të romëve dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës”, tha Varhei duke iu drejtuar ministrave.