Pas skandalit të fundit në kreun e BFI-së së Maqedonisë, i cili tronditi thellë shpirtrat e besimtarit të devotshëm shqiptar-myslimanë, e pashë të arsyeshme që për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup dhe jo vetëm, në disa vazhdime të bëjmë një përshkrim kronologjik për pozitën dhe veprimtarinë e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit midis dy luftërave botërore. Siç do të shihni, theks të veçantë u kam kushtuar zgjedhjeve të para të lira që kjo bashkësi i mbajti në vitin 1937 me çka në krye të saj erdhën atdhetarët e shquar kombëtar e fetarë shqiptarë, të cilët për tre vjet sa qëndruan në krye të asaj bashkësie, lanë gjurmë në historiografinë shqiptare. Besoj se ky punim studimor do të ndikoj tek popullsia shqiptare myslimane në përgjithësi, e te hoxhallarët në veçanti, që në krye të kësaj bashkësie të mos vijnë njerëz të korruptuar (siç janë tani), të pamoralshëm e të cilët si qëllim parësor nuk e kanë mbrojtjen e interesit të Islamit, por pasurimin e tyre personal. Kjo u pa në mbledhjen e fundit, ku ata të cilët e shkarkuan kryetarin e mëparshëm, deri dje ishin mbështetësit më të mëdhenj të të parit të tyre.
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Nga procesverbalet e komisioneve të rretheve shihet qartë se gara ishte tepër e ngushtë dhe e ashpër. Kështu, për shembull, në rrethin e Tetovës fitoi lista proqeveritare me 4.580 vota, kundrejt listës së Ataullah Kurtishit me 1.476 vota dhe listës opozitare shqiptare me 1.147 vota. Në Gostivar, Kadri Saliu, i cili ishte bartës i listës opozitare shqiptare fitoi bindshëm me 4.238 vota, përballë listës qeveritare ku si bartës ishte Jonuz Haxhi Selmani me 562 vota dhe listës së Ataullah Kurtishit, përkatësisht Shehab Selim Shehabi si bartës i listës me 317 vota. Në Dibër fitoi lista opozitare, ku për bartës ishte Sherif Langu me 1.110 vota, kundrejt listës qeveritare me 159 vota. Në Kumanovë fitoi Azem Latif Hoxha, i cili përfaqësonte listën e Ferhat Dragës me 1.101 vota, kundrejt Isak Veselit që përfaqësonte listën e Ataullah Kurtishit me 815 vota dhe listës së Haxhiamziqit me 378 vota. Në Preshevë fitoi lista qeveritare me 2.163 vota, kundrejt listës opozitare që i printe atdhetari i mirënjohur shqiptarë, Abdullah Veliu me 1.367 vota dhe Ahmet Latifit që përfaqësonte listën e Ataullah Kurtishit me 408 vota. Në Shkup me rrethinë fitoi lista proqeveritare, ku për bartës ishte Shefki Beu me 2.697 vota, kundrejt Hamdi Xheladinit i cili përfaqësonte listën e Ataullah Kurtishit me 2.327 vota dhe Qemal Osmanit i cili përfaqësonte listën e Ferhat bej Dragës me 1.809 vota etj.
Duhet të vihet në dukje se gjatë numërimit të votave, Haxhiamziqi dhe klika e tij serbomadhe, tentoi të bëj manipulime, duke i caktuar kandidatët e listës së tyre nëpër vendvotime, që ishte në kundërshtim me dispozitat si të Kushtetutës, po ashtu edhe të Rregullores për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Ndaj një vendimi të tillë reaguan bartësit e listave opozitare, si Ataullah Hoxha, Zejnel Strazimir, Qemal Osmani, të cilët përmes telegrameve të ndara iu drejtuan Naibit të parë në Sarajevë, Salih Bashiqit, duke kërkuar ndërrimin e tyre të menjëhershëm për shkak se “ata nuk mund të jenë anëtarë të këshillave votuese”. Përveç kësaj, i pakënaqur me rezultatet, Haxhiamziqi urdhëroi përfaqësuesit e listës së tij nëpër këshillat e votuese, sidomos në ato vendvotime ku opozita kishte fituar bindshëm, që votimet të shpallen të pavlefshme dhe në të njëjtat të rivotohet. Lidhur me këtë, bartësi i listës opozitare në qarkun e Plevles, Beqir Novo, më 3 qershor 1938 i dërgon një depeshe Naib-it të parë në Sarajevë, me këtë përmbajtje: “Nëse në të gjitha vendvotimet të qarkut të Plevles zgjedhjet ishin pa shkelje formale të Kushtetutës, disa këshilla të votimeve duke e keqpërdorur pushtetin me diktatin e Naib-it (Haxhiamziq –Q.L.), qëllimisht nuk e komentojnë drejtë nenin 157 të Kushtetutës dhe shpallin zgjedhje të reja me qëllim të zvogëlimit të sasisë së votave që i kam fituar edhe përkundër të gjitha presioneve ndaj votuesve të mi. Ju lus Juve si faktor kompetent në kuptimin e Kushtetutës ta pengoni këtë vepër penale për t’i shmangur pasojat e padëshirueshme”. Për rrjedhojë, Naib-i i parë, Sali Bashiq, me 4 qershor 1938 përmes telegramit njoftoi Haxhiamziqit për ankesat e arritura nga Zejnel Ibrahimi, Qemal Osmani, Ataullah Hoxha dhe Beqir Novo, njëkohësisht duke e urdhëruar që numërimi i votimeve ”të rrjedh rreptësishtë sipas dispozitave të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame” dhe të mos lejohet “asnjë veprim antiligjor zgjedhor”.
Si rrjedhojë e ndërhyrjes së Naib-it të parë, Këshilli Kryesor Zgjedhor, nuk lejoi të bëhen manipulime zgjedhore në ato përmasa, saqë të njëjtat të ndikonin në rezultatin përfundimtar të tyre. Mbështetur në rezultatet e shpallura nga Këshilli në fjalë, në ato zgjedhje lista e Ferat Dragës doli fituese me gjithsej 13 përfaqësues në Kuvendin Mearif të Shkupit, ndërsa dy listat tjera, përkatësisht ajo e Ataullah Hoxhës dhe lista proqeveritare fituan nga 7 anëtarë.
ARDHJA E KRAHUT KOMBËTAR SHQIPTAR NË KRYE TË MEXHLISIT TË ULEMASË SË SHKUPIT
Përkundër faktit se këto zgjedhje lista e Ferhat Dragës doli fituese, përkatësisht e para, ajo nuk i kishte votat e mjaftueshme (14 anëtarë ) për të udhëhequr me organet drejtuese të Mexhlisit të Ulemasë, prandaj u detyrua të nënshkruaj marrëveshje me grupimin që i prinin dy ulematë e njohur, Ataullah ef Kurtishi dhe Mulla Idriz Gjilani, me çka klika serbomadhe i humbi pozicionet drejtuese që për dekada me rradhë i mbante në këtë institucion me të rëndësishëm jo vetëm fetar, por edhe kombëtar jashtë shtetit politik shqiptar. Në rrethana të tilla, Haxhiamziqi dhe veglat e tij kërkonin nga Beogradi zyrtar të pamundësohet ardhja e krahut kombëtar shqiptar në krye të Mexhlisit të Ulemasë të Shkupit. Për këtë qëllim ata formuan një delegacion prej 30 anëtarësh, i cili udhëtoi për në Beograd, për t’iu ankuar kryeministrit të Qeverisë së Mbretërisë Jugosllave, se: “Ferhat Draga dëshiron ta shqiptarizojë Bashkësinë Islame”. Në bisedimet e zhvilluara midis delegacionit dhe kryeministrit, ky i fundit u kishte sugjeruar “gjetjen e një kompromisi midis dy rrymave”. Pas shumë përplasjeve, më 21, përkatësisht më 24 qershor u mbajt Mbledhja konstituive e Kuvendit Mearif të Shkupit. Konsiderojmë se duhet të vëmë në dukje, se gjatë zgjedhjeve të këtyre organeve, me ndikimin e kreut më të lartë të BFI-së në Sarajevë erdhi deri te kompromisi. Krahu i Haxhiamziqit arriti të mbaj në duart e veta drejtorinë e Vakëfit. Në Këshillin e Vakëfit Mearif u zgjodhën: Mustafa Dërguti-kryetar, Sait Ahmeti-nënkryetar, Xhafo Alibegoviç, Sulejman Kryeziu dhe Asim Kulenoviç anëtarë, ndërsa Sherif Voca, Dervish Sheçerkadiç, Jonuz Selmani, Sefedin Mahmuti dhe Ismail Qemal Beu zëvendës anëtarë.
Më 7 korrik të vitit 1937, Kuvendi Mearif i Vakëfit i sapo zgjedhur e merr detyrën politike nga ish NAIB-i, Fejzi Haxhiamziqi, post që me Kushtetutën e re e zëvendësonte Kuvendi Mearif i Vakëfit, ndërsa Haxhiamziqi tashti u zgjodh drejtor në Drejtorinë e Vakëfit në Shkup.
Ndërkohë, me vendim të Naibit të Parë të Udhëheqjes Supreme të BFI-së në Sarajevë, Kadri Saliu u emërua Naib i Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, ndërsa postin e kryetarit të Kuvendit e mori Sefedin Mahmutbegoviq, përndryshe përkrahës i grupimit të Haxhiamziqit. Këto ndryshime nxitën krahun serb-madh, të cilët më 21 dhjetor 1937 përmes Sefedin Mahmutbegoviqit dhe Mustafa Dërgutit, i shkruajnë një letër Kadri Saliut ku, siç thuhej në të, edhe pse përbënin “shumicën” e Kuvendit, ata ishin të gatshëm që “në interesin e punës konstruktive e të harmonisë vëllazërore në Kuvendin Mearif të Vakëfit” të “arrihet marrëveshje dhe të vendosen marrëdhënie të mira” me grupin opozitar shqiptar. E gjithë kjo, sipas tyre, mund të arrihej nëse të dy grupet marrin pjesë në mënyrë “proporcionale” në të gjitha funksionet e Kuvendit Mearif të Vakëfit. “Nisur nga ky parim”, thuhej më tej në letër e në interes të bashkëpunimit të përbashkët, “u ofrojmë propozimin mesa vijon:
– Këshilli i Kuvendit përbëhet prej pesë anëtarëve me po aq zëvendës dhe nga këta nga tre anëtarë e zëvendës t’i takojë grupit tonë, ndërsa dy anëtarë e dy zëvendës grupit Tuaj;
– Trupi për zgjedhjen e Reis-ul-Ulemasë dhe anëtarët e Mexhlisit të Ulemasë, përbëhet prej dhjetë anëtarëve dhe nga këta grupit tonë do t’i takonin gjashtë, ndërsa katër grupit tuaj;
– Komisioni disiplinor përbëhet prej katër anëtarëve të kualifikuar, prej tyre dy do ishin nga grupi ynë, e dy nga grupi i juaj;
– Këshilli kontrollues përbëhet prej tre anëtarëve, prej tyre dy të jenë nga grupi ynë, ndërsa një nga grupi i juaj;
– Këshilli për dhënien e menshures Reis ul-Ulemasë, përbëhet prej pesë vetëve, e nga ata tre të jenë nga grupi ynë, ndërsa dy nga grupi i juaj;
– Këshilli për ankesa për punën zgjedhore përbëhet nga pesë vetë dhe prej tyre tre të jenë nga grupi ynë dhe dy nga grupi i juaj”.
Një propozim të tillë e hodhi poshtë Naib-i, Kadri Saliu, i cili në letrën kthyese, ndër të tjera vë në dukje se “shenjat për paraqitjen e këtij grupi ishin kur në prag të mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit u takua në banesën e Haxhiamziqit dhe aty vendosi për qëndrimin e ndarë në Kuvend”. Në përmbyllje të letrës, Kadri Saliu shprehet: “Ne nuk kemi as çfarë kërkesash në pikëpamjen e ndarjes së vendeve nëpër këshilla e trupa, porse dëshirojmë që në Kuvend të bëhen rizgjedhje në të gjitha organet e tij dhe me votimin e fshehtë të trupave sipas dispozitave të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame dhe Rregullores ekzistuese. Kjo për arsye se zgjedhja e këtyre organeve në mbledhjen e kaluar nuk është kryer në mënyrë ligjore dhe ashtu siç imponohen nga interesat e bashkësisë”. Si duket këto ishin përpjekjet e fundit të Haxhiamziqit dhe grupit të tij për t’i ruajtur pozicionet udhëheqëse në Bashkësinë Islame në Shkup, por edhe për t’i fshehur të gjitha ato keqpërdorime të kryera vite me radhë. Nga letra e mësipërme e Sefedin Mahmutbegoviqit dhe Mustafa Dërgutit dërguar Kadri Saliut, mund të kuptohet se krahu qeveritar shpresonte në mbështetjen e 7 anëtarëve të grupit të Ataullah Hoxhës e të Mulla Idriz Gjilanit, mirëpo një përkrahje të tillë ata nuk e morën.
Ndërkohë, NAIB-i i parë, Sali Bashiq, me 19 janar 1938 i shkruante Kadri Saliut për ankesa e padi të shumta për punën e paraardhësit të tij, në radhë të parë në “kryerjen e veprimtarisë antiligjore” dhe “cenimit të autonomisë fetare”, e gjithashtu edhe kundër punës së “Kuvendit të Vakëfit Mearif të atjeshëm”, i cili vazhdonte me veprimet antiligjore dhe si rrjedhojë “pamundëson punën normale në Kuvend”, si dhe “zgjidhjen e të gjitha atyre çështjeve të përbashkëta të Bashkësisë Islame”. Lidhur me këto vërejtje, më 22 janar 1938, Kadri Saliu i raportonte Naib-it të parë në Sarajevë për aktivitetin e tij pas emërimit Naib, ku veç tjerash e njoftonte atë se me qëllim të përmirësimit të punës joligjore nga udhëheqja e mëparshme, menjëherë kishte ftuar Këshillin e Naib-it, i cili për 20 ditë me radhë i kishte shqyrtuar vendimet për largimin e nëpunësve fetarë nga Haxhiamziqi e klika e tij, dhe pasi është konstatuar se largimi i tyre kishte qenë joligjor, “ka vendosur që nëpunësit të kthehen në punë” si dhe shumë akte e veprime tjera joligjore. Më pas Saliu i shkruante Bashiqit se situata në Mexhlisin e Ulemasë së Shkupit, shkonte kah normalizimi dhe se në mënyrë aktive punohet që të “thirret Kuvendi i Vakëfit Mearif dhe mbledhja të mbahet para Bajramit”. Sipas tij, në atë mbledhje, nga 27 anëtarë sa numëronte gjithsej Kuvendi, 20 prej tyre “do të jenë të njëzëshëm” në kuptimin e rregullimit të çështjeve në hapësirën e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit. Në këtë mënyrë, thuhet në fund të raportit, “do të mund të kryhen zgjedhje të reja në organet e trupat e Kuvendit sipas dispozitave të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame”. (vijon nesër)