KQZ-ja njofton Thaçin për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve

1

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës (KQZ) ka njoftuar Presidentin, Hashim Thaçi lidhur me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën më 6 tetor.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka bërë të ditur se bashkë me shkresën njoftuese, KQZ-ja i ka bashkangjitur edhe një kopje të rezultateve të certifikuara për subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në këto zgjedhje.

Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit.

Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zhvilluar takime për formim të qeverisë së re. Liderët e këtyre dy partive politike janë zotuar se shumë shpejt do të arrijnë marrëveshjen për formimin e Qeverisë.

Comments are closed.