Kurdo që mbahen zgjedhjet e planifikuara parlamentare, partitë politike do të jenë të detyruara që në Programet e tyre elektorale të fusin edhe zgjidhje për dalje nga kriza e shkaktuar si pasoj e Kovid-19. Përcaktimet programore në këtë drejtim do të jenë kozmetike, vetëm në letër, ndërsa pas zgjedhjeve – do të harrohen. Edhe në këto zgjedhje qytetarët do të votojnë për sigla partiake e jo për Programe… është konstatimi i njohësve të zhvillimeve politike në vend
Destan JONUZI
Shkup, 21 maj – Liderët e partive politike në vend insistojnë me çdo kusht që të caktojnë një datë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Secila ka datën dhe muajin e saj se kur duhet të mbahen zgjedhjet. Në anën tjetër masat e propozuara për mbrojtje nga pasojat ekonomike e sociale të shkaktuar si rezultat i gjendjes së jashtëzakonshme nga Kovid19 shumë pak janë të kapshme për qytetarin e rëndomtë. Si rrjedhojë e kësaj, a mund që në zgjedhjet e ardhshme partitë politike ti ripërpunojnë programet e tyre bazuar në masat e propozuar ekonomike?! Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se partitë politike do ti përpunojnë dhe harmonizojnë programet e tyre, por vetëm se formalisht. Sipas tyre, edhe në këto zgjedhje qytetarët do të votojnë për sigël politike e jo për programe e koncepte politike.
“Qytetarët duhet ta kenë të qartë se nga zgjedhjet nuk mund të presin zgjidhje për problemet e tyre. Në mungesë të konsensusit dhe kulturës politik, liderët nuk mund të caktojmë datë për zgjedhje. Kur ne nuk mund të caktojmë një datë për zgjedhje, atëherë pse çuditemi me BE-në për datën e fillimit të bisedimeve. Partitë do të ndryshojnë programet e tyre politike, por edhe në këto zgjedhje qytetarët do të votojnë për sigla partiake. Në Maqedoni koncepti pro-evropian do të ngadhënjejë, por çështja është se sa realizohen pas zgjedhjeve premtimet e elektorale. Problemi edhe nuk është në konceptet, pro-evropian apo pro-rus, por vendi është në një krizë institucionale ku nuk funksionon Parlamenti dhe prandaj sa më parë që është e mundshme duhet të shpallen zgjedhjet. Nëse zgjedhjet nuk shpallen edhe për aq ditë sa janë mundësitë ligjore pas ndërprerjes së gjendjes së jashtëzakonshme, atëherë organizimi i tyre bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Mendoj se këto ditë do të rritet presioni ndaj kryeparlamentarit Xhaferi për shpalljen e zgjedhjeve të reja, dhe anulimin e vendimit paraprak”, deklaroi për KOHA, Eroll Rizaov, analist.
Ndërkohë, profesor Xhemaludin Idrizi thotë se partitë politike duhet që të bëjnë ndryshime në programet e tyre elektorale, sipas situatës së krijuar. “Kuptohet se duhet të ndryshojnë në qasje, veprim dhe programe. Por, vallë a do të mund ti bëjnë këto ndryshime, dyshoj për arsye të kohë. Këto ndryshme që lidhen me ekonomin ato veç është dashur ti kishin bërë, pasi që sipas gjitha gjasave pandemia do të zgjasë edhe për një kohë”, shprehet Idrizi.
Për profesorin universitar, Bashkim Selmani, mbi gjitha prioritetet është shëndeti i qytetarëve, andaj thotë se edhe programet e partive duhet të harmonizohen me situatën e krijuar. “Është prioritet shëndeti publik, kërcënimi dhe pasojat nga Kovid19, shikuar në këtë prizëm, gjitha subjektet ligjërisht duhet tu përmbahen rregullave publike që nënkupton edhe ripërpunimin programeve elektorale dhe bindjen e votuesve për daljen në votim. Në anën tjetër, edhe ajo që premtohet në zbatim dhe ne praktike del se minimalisht realizohet. Votuesit tani më kanë një pasqyrë reale për subjektet politike dhe do jetë shumë vështirë që me këto programe që kanë të kthejnë autoritetin dhe lindshmërinë tek votuesit”, deklaroi për KOHA, Selmani. Ish-deputeti Zudi Xhelili vlerëson se partitë politike do i përshtatin programet në përputhje me kushtet momentale të ballafaqimit me pandeminë. “Situata ua ka imponuar partive politike që ti harmonizojnë programet elektorale me situatën e krijuar. Për herë të parë do kemi fushatë ndryshe nga vitet e mëparshme, pa tubime të mëdha pa shumë aktivitete që kërkojnë masa më të madhe njerëzish. Ndoshta ndikojnë këto zgjedhje që të mendohet edhe për votime elektronike në të ardhmen”, thekson Xhelili.
Ndërkaq, profesori universitar Svetomir Shkariq është deklaruar për mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje urgjente. Ai konsideron se për të konfirmuar ose hedhur poshtë vendimet dhe aktet ligjore të miratuara gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, është më mirë të diskutojë një Parlament i ri që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare sesa ky i shpërndari. “Edhe sikur të kthehej, Parlamenti i shpërndarë nuk do të kishte asnjë angazhim tjetër përveç konfirmimit të vendimeve të miratuara zyrtarisht që shpallnin gjendje të jashtëzakonshme nga Presidenti i Republikës. I gjithë pushteti legjislativ është transferuar nga Parlamenti në Qeveri. Nuk ka procedura të përcaktuara për ushtrimin e kontrollit politik të ekzekutivit në aktet e Parlamentit. Gjendja e jashtëzakonshme është jashtë akteve aktuale të Parlamentit dhe paraqitet vetëm në tekstin kushtetues. Dalja nga kjo gjendje duhet të kërkohet, jo me kthimin e Parlamentit të shpërbërë, por me Parlament të ri që duhet të dalë nga zgjedhjet e ardhshme, që duhet të mbahen menjëherë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Këtë e kërkon domosdoshmëria e jo demokracia. Duhet treguar racionalitet dhe rregull dhe disiplinë”, vlerëson Shkariq. Sipas tij, programi i rishikuar i KSHZ-së për vazhdimin e aktiviteteve zgjedhore duhet të përfshijë gjithashtu afatet për veprimtari të reja, të tilla si azhurnimi i listës zgjedhore, qasja në vendvotime dhe mënyra e votimit.
Ndryshe, zgjedhjet në Maqedoni ishin paraparë të zhvillohen më 12 prill, por ishin anuluar për shkak të përhapjes së koronavirusit. Në fuqi ende është gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa vendi drejtohet nga një qeveri teknike. (koha.mk)