Të qëndruarit në një çati, sidomos tek ato familje me anëtarë problematikë, rriti tensionet dhe dhunën mes familjarëve, edhe pse një pjesë raportohen, të tjerat “zgjidhen” me largimin e viktimës nga shtëpia. Mes rasteve ka edhe denoncime nga burrat që kanë raportuar dhunë në familje, por jo nga bashkëshortet, por për arsye të konflikteve pronësore dhe marrëdhënie të koklavitura midis vëllait dhe motrës, e të tjera
Evis HALILI
Shkup, 28 tetor – Denoncime për abuzim fizik, vrasje dhe vrasje të mbetura në tentativë…, kanë detyruar shërbimet e specializuara kundër dhunës në familjes të shtojnë pikat e tyre gjatë periudhës pandemike. Pasi ashtu si pritej, që nga muaji mars u rrit numri i denoncimeve për rastet abuzive, shkaktuar nga periudha e karantinës, kufizimeve të lëvizjes dhe mos shkuarjes në punë. Të qëndruarit në një çati, sidomos tek ato familje me anëtarë problematikë rriti tensionet dhe dhunën mes familjarëve, edhe pse një pjesë raportohen, të tjerat “zgjidhen” me largimin e viktimës nga shtëpia. Mes rasteve ka edhe denoncime nga burrat që kanë raportuar dhunë në familje, por jo nga bashkëshortet por për arsye të konflikteve pronësore dhe marrëdhënie të koklavitura midis vëllait dhe motrës, e të tjera.
Nga Ministria e Brendshme informojnë për shtimin e rasteve, krahasuar me një vit më parë, për vrasje dhe raste të mbetura në tentativë. Përkatësisht nga muajt mars – gusht janë regjistruar 411 vepra penale për të cilat janë raportuar 425 autorë, 186 kundërvajtje dhe mbi 1.600 ankesa. “Lidhur me çështjen e vrasjeve të regjistruara dhe vrasjeve në tentativë në dhunën në familje, në periudhën prej 10 marsit deri më 31 korrik 2020, janë regjistruar tre (krahasuar me dy në vitin 2019) vepra penale “vrasje në dhunë në familje”, për të cilat janë raportuar tre (krahasuar me dy në 2019) autorë krimi. Në të njëjtën periudhë, u regjistrua një vepër penale ‘vrasje e mbetur në tentativë ’, për të cilën u raportua një autor. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, nuk ishte regjistruar asnjë veprim kriminal “, bëjnë me dije nga MPB.
Edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale duke u bazuar në analizën e të dhënave për periudhën janar – qershor të viteve 2019 dhe 2020, konstaton se përqindja e rritjes së viktimave të dhunës në familje në vitin 2020 është 7.4 për qind më e lartë krahasuar me një vit më parë. Viktima të dhunës në familje janë 824 persona mes të cilëve 611 ishin gra, 140 burra dhe 73 fëmijë. Për mbrojtjen e viktimave MPPS ka hapur 16 shërbime të specializuara, ose stremihore për gratë viktima të dhunës në familje. Përveç kujdesit, viktimave iu jepet mbrojtja, ndihma dhe mbështetja psikosociale për të kapërcyer traumën. Nga qendrat e krizës thonë se nga muaji prill, dhuna në familje është rritur me 30 për qind, ku viktimat më kryesore janë gratë, të cilat vuajnë abuzimin fizik nga bashkëshortët e tyre. Numri i denoncimeve nga linjat SOS është rritur duke arritur në 40 telefonata gjatë një muaji. Po ashtu janë rritur denoncimet edhe përmes shërbimeve në internet. Shumica e viktimave janë gra të pasigurta financiarisht, të cilat janë të varura ekonomikisht nga burrat e tyre, disa prej të cilave vuajnë nga dhuna për vite dhe dekada. I tillë është shembulli i një viktime femër e cila, pas njëzet vitesh martesë, raportoi abuzimin nga burri i saj pasi ai filloi të përdorë dhunë ndaj vajzës së tyre gjashtëmbëdhjetë vjeçare.
“Kemi pasur raste kur dy nëna janë abuzuar nga djemtë e tyre, të cilët janë të varur nga droga.. Kemi gjithashtu gra viktima të dhunës në familje që abuzohen fizikisht nga burrat e tyre. Kujdesemi për viktimat e dhunës në familje për 48 orë dhe pastaj ato merren nga qendrat e punës sociale dhe policia”, thonë në një prej qendrave të krizës “Shpresa”. Rastet e evindetuara nga MPPS janë marrë nga 30 qendrat për punë sociale që funksionojnë në të gjithë territorin. Sa i përket thirrjeve, përkatësisht raportimit të dhunës në familje, ka pasur më shumë kërkesa në territorin e qytetit të Shkupit – informojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. (koha.mk)