Situata epidemiologjike në Ballkanin Perëndimor është përkeqësuar, veçanërisht në Kroaci, Slloveni dhe Serbi, ku sot është regjistruar numër rekord i të sapoinfektuarve.
Serbia sot regjistroi një numër rekord të të sapoinfektuarve me koronavirus – 18.006 raste nga 39.740 mostra të testuara kumtoi Ministria e Shëndetësisë, pasi kryeministrja Ana Bërnabiq paralajmëroi më herët sot se numri do të ishte “katastrofal”.
Në 24 orët e fundit në Kroaci, 6.001 persona rezultuan pozitivë për antigjene të shpejta, dhe 40.575 u testuan. Kur shtohen rezultatet pozitive që kanë bërë testet PCR, arrin në 13.549 të sapoinfektuar, që është rekord që nga fillimi i pandemisë në atë vend.
Një rekord absolut ditor prej 8.681 rastesh të reja me koronavirus u konfirmua dje në Slloveni, lajmëroi sot STA. Agjencia thekson se shkalla e pozitivitetit arriti pothuajse në 63 për qind. Rritja javore e rasteve të reja është pothuajse 17 për qind.
Një person ka vdekur si pasojë e koronavirusit në Kosovë, ndërsa 720 janë pozitivë, kumtoi Ministria e Shëndetësisë bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK). Në të njëjtën periudhë janë testuar 4.785 mostra dhe 720 qytetarë kanë rezultuar pozitivë. Sot janë shëruar 159 qytetarë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 158.909. Aktualisht në Kosovë janë 5.678 raste aktive.
Në Bosnje dhe Hercegovinë sot janë regjistruar 3.342 persona të infektuar nga gjithsej 7.529 të testuar për koronavirus. Në 24 orët e fundit, 39 persona kanë vdekur, duke përfshirë 25 në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, 13 në Republika Srpska dhe një në qarkun Brëçko.