Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme parkingjet e Qytetit të Shkupit kanë funksionuar me intensitet të ulët të punës. Sipas tyre kjo ka qenë reflektuar edhe në funksionimin e shërbimit të karrotrecit. Megjithatë, nga atje shtojnë se NP “Parkingjet e Qytetit”-Shkup, rregullisht ka kryer pagat e punëtore dhe obligimet tjera ligjore
Omer XHAFERI
Shkup, 27 korrik – Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Qytetit”- Shkup, në mesin e institucioneve lokale njihej si njëra prej drejtorive më të qëndrueshme në shtet. Megjithatë, ajo më nuk e gëzon këtë status. Vala e Kovid-19 e ka prekur edhe këtë ndërmarrje e cila funksionon nën ombrellën e Qytetit të Shkupit. Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve i cili ishte në fuqi për gati tre muaj, mbyllja e kufijve, mungesa e turistëve paraqesin ndër arsyet kryesore sepse kjo ndërmarrje në pjesën e parë të këtij viti ka shënuar të hyra më të vogla.
Shqyrtimi i raportit gjashtëmujor të NP “Parkingjet e Qytetit”- Shkup, nga Qyteti i Shkupi kanë njoftuar se do të bëhet në seancën e radhës të caktuar për ditën e martë, me çka potencojnë se të hyrat në këtë drejtori për dallim nga periudha e janar-qershor, e vitit të kaluar kanë shënuar rënie të theksuar.
“Bilanci i suksesit për periudhën 1 janar, deri më 30 qershor tregon se të hyrat në këtë ndërmarrje janë zvogëluar për gati 30 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Zvogëlimi në masë të madhe ka të bëjë me rënie e të hyrave operative – të hyrat nga parkingjet dhe të hyrat nga realizimi i veturave në mënyrë jo të rregullt, e gjithë kjo si pasojë e krizës shëndetësore të shkaktuar nga virusi Kovid-19”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Nga atje shtojnë se gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme parkingjet e Qytetit të Shkupit kanë funksionuar me intensitet të ulët të punës. Sipas tyre kjo ka qenë reflektuar edhe në funksionimin e shërbimit të karrotrecit. Megjithatë, nga atje shtojnë se NP “Parkingjet e Qytetit”-Shkup, rregullisht ka kryer pagat e punëtore dhe obligimet tjera ligjore.
Ndërkohë, në gjashtë muajt e parë të këtij viti situatë farë më e mirë nuk ka qenë as në NP “Transporti Publik”-Shkup. Ndalesa për lëvizje të lirë dhe karantina e cila hyri në fuqi nga 15 marsi e deri më 10 qershor ndikoi që numri i udhëtarëve që shfrytëzojnë transportin publik të zvogëlohet për 70 për qind. Rrjedhimisht edhe të hyrat të pësojnë rënie. Humbjet e shkaktuar nga kjo pandemi kësaj ndërmarrje të qytetit i kanë kushtuar mbi 4 milionë euro.
Të dhënat statistikore të kësaj ndërmarrjeje flasin se në mars të vitit 2019 shërbimet e “Transportit Publike” në Shkup i kishin shfrytëzuar mbi 5.5 milionë qytetarë, ndërkohë këtë vit ky numër nuk është diçka më i lartë se 2.7 milionë udhëtar. Rënie më e theksuar e udhëtarëve është regjistruar gjatë muajit prill të këtij viti, (prill 2019 – 5.2 milionë udhëtar – prill 2020 – 590 mijë udhëtar). Situatë e ngjashëm është konstatuar edhe gjatë muajit maj. Masat restriktive për mbrojtje nga koronavirusit njëkohësisht ndikuan që një numër i konsiderueshëm i shoferëve të autobusëve të qëndrojnë në shtëpi. (koha.mk)