Shkup, 15 shkurt – Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, Lasllo Kover ka dërguar letër ngushëllimi deri te kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi për shkak të aksidentit në autostradën Shkup – Tetovë, ku humbën jetën 14 persona, ndërsa 39 janë lënduar, njofton Koha.
“Thellë jam shokuar kur e mora lajmin për aksidentin që ndodhi në pjesën veriore të Maqedonisë, ku kishte një numër të madh viktima. Zoti kryetar, në emër të gjithë anëtarëve të Parlamentit të Hungarisë, Ju lutem të pranoni ngushëllimet tona të sinqerta dhe të thella për këtë ngjarje të pikëllueshme, që ka marrë shumë jetë të njerëzve”, thuhet në letrën e Koverit dërguar Xhaferit.
“E ndajmë pikëllimin me të afërmit dhe miqtë e viktimave”, shtoi ai. Telegramë me përmbajtje të njëjtë i dërgoi edhe shefi i diplomacisë hungareze, Peter Sijarto kolegut të tij, Nikolla Dimitrov.
“Shpreh ngushëllime të thella deri te ata që kanë humbur të afërmit e tyre në këtë aksident. Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre në këto kohë të vështira dhe u dëshirojmë shërim të plot dhe të shpejtë të lënduarve”, thuhet në letrën e Sijartos. (koha.mk)