Udhëheqësit e mekanizmit Covax kanë publikuar listën fillestare të 142 shteteve, të cilët duhet të marrin vaksina kundër virusit Korona. Sipas asaj që u tha në takimin e sotëm të përfaqësuesve të organizatave që janë pjesë e Covax, koncentrimi i tyre për momentin është tek shtetet afrikane.
Nuk ka detaje për atë se kur do të arrijnë vaksinat në shtetet tjera. Sipas listës së publikuar, Maqedonia e Veriut duhet të merr 100.800 vaksina “Astrazeneca”, aq sa do të përfitojë edhe Kosova, por afati kohor nuk është saktësuar. Ndryshe, dozat e para të vaksinave nëpërmjet Covaks tashmë kanë arritur në Indi, Ganë dhe Bregun e Fildishtë, ndërsa sot edhe në Nigeri.
Ndërkohë, drejtori i urgjencave të OBSH-së, Michael Ryan, ka deklaruar se pandemia nuk do të marr fund gjatë këtij viti, por është e mundur që të lehtësohet kriza duke ulur shtrimet në spital dhe vdekjet.
“Do të jetë shumë e parakohshme dhe mendoj joreale, të mendojmë se do t’i japim fund këtij virusi deri në fund të vitit,” tha Ryan. Që nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve ka tejkaluar 114 milion e gjysmë njerëz, prej të cilëve mbi dy milion e 541 mijë kanë vdekur.