Kovaçevski: Ne kemi një propozim evropian me të gjitha kërkesat tona

Shkup, 1 korrik – Ne kemi para vetes një propozim evropian për zhbllokimin e integrimeve tona evropiane dhe nga ne varet se çfarë vendimi do të marrim për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për evropianizimin e vendit tonë, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Sipas tij, propozimi i ri i modifikuar tashmë nuk është më vetëm francez, por një propozim evropian, i cili përfshin të gjitha kërkesat dhe vërejtjet tona që janë paraqitur në versionin e mëparshëm të tekstit të propozuar.

“Me mendje të ftohtë, me përgjegjësi ta çojmë vendin në rrugën e duhur dhe të bëjmë një hap përpara”, tha kryeministri Kovaçevski, duke shtuar se duhet të ndjekim rrugën që kemi vendosur ose në të kundërt do të mbetemi të endur në Ballkan. “Nga ajo rrugë nuk ka devijim as majtas as djathtas dhe tani është koha për të marrë vendim”, theksoi Kovaçevski në konferencën e sotme me gazetarët.

Advertisements

Ai shtoi se është i kënaqur që në Samitin BE-Ballkani Perëndimor javën e kaluar nuk e pranuam tekstin fillestar të propozuar dhe treguam saktësisht se çfarë kërkojmë dhe çfarë duam.

“Tani kemi një propozim që përfshin të gjitha kërkesat tona, shtoi kryeministri, duke bërë të ditur se para se Qeveria të japë përgjigjen përfundimtare nëse do ta pranojë propozimin, do të zbatojë konsultime me të gjitha institucionet në vend, me presidentin e Republikës, Kuvendin, partitë politike, sektorin joqeveritar dhe opinionin profesional.

Edhe pse Qeveria mund të marrë vendimin e saj lidhur me propozimin, megjithatë do të kërkohet mendim nga Kuvendi, i cili vetë duhet të vendos nëse do ta bëjë këtë në seancë plenare apo nëse komisionet kompetente parlamentare do të vendosin për dokumentin.

Vendi nuk ka një afat deri në të cilin duhet të japë një përgjigje dhe varet nga ne nëse do të fillojmë udhëtimin tonë për disa ditë apo javë apo nëse do ta zvarritim.

Ndryshimet në propozimin e ri evropian në raport me versionin e mëparshëm i referohen pranimit të kërkesës sonë për të mos përfshirë në kuadrin e negociatave protokollin që rrjedh nga neni 12 i marrëveshjes dypalëshe të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë dhe zbatimin e detyrimeve që rrjedhin prej saj, pra në kuadrin e negociatave nuk janë përfshirë çështje historike.

Ndryshimi i dytë i referohet kohës së fillimit të negociatave. Me propozimin e parë ishte parashikuar që me pranimin e tij formalisht të bëhej konferenca e parë ndërqeveritare, por pasi të ndryshojmë Kushtetutën për “përfshirjen e bullgarëve”, të mbahet  konferenca e dytë ndërqeveritare dhe më pas të fillojnë  negociatat me të gjitha  proceset e parashikuara. Me propozimin e ri negociatat fillojnë me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare kur do të fillojë procesi i shqyrtimit dhe në cilën periudhë duhet të ndryshohet Kushtetuta me të cilën në Preambullë dhe në Amendamentin 12, në pjesën ku anëtarët e kombet e tjera janë të listuara përveç popullit maqedonas që jeton në vend, duke përfshirë edhe kroatët, malazezët dhe bullgarët. Me përfundimin automatik të këtyre proceseve do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare dhe do të nisin negociatat sipas grupeve.

Në kornizë thuhet gjithashtu se do të përkthehet në gjuhën maqedonase, pa asnjë shtesë, shpjegim apo fusnotë, por në procesverbalin e mbledhjes së Këshillit të BE-së, në të cilin do të miratohet korniza, lihet vetëm hapësirë ​​që Bullgaria të bëjë deklarata të njëanshme në të cilën ajo do të shpjegonte qëndrimin e saj për gjuhën, por nuk bëhet pjesë e kornizës së negociatave.  Vendi ynë ka të njëjtën të drejtë të shtojë një deklaratë të njëanshme në procesverbal për këtë çështje.