Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot kishte bisedë telefonike me presidentin e Republikës së Francës Emanuel Makron me të cilin u pajtuan se nuk ka kohë për humbje dhe potencuan se anulimi i mëtutjeshëm i fillimit të negociatave për anëtarësim të vendit në BE mund të ketë pasoja rajonale serioze dhe gjerësisht e hap derën për ndikim të rritur të palëve të treta në rajon.
Kjo, theksuan ata, e bën çështjen e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor një çështje serioze sigurie, tha sot shërbimi për shtyp i qeverisë.
Kovaçevski, në takim, e ka theksuar dialogun politik intensiv në vitet e fundit dhe angazhimin e presidentit Makron dhe Republikës së Francës në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut.
Në takim u bisedua edhe për marrëdhëniet dypalëshe, me vlerësimin se miqësia tradicionale mes dy vendeve është pasuruar me intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili vitin e kaluar mori një kapitull të ri me hyrjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri Kovaçevski e uroi Makronin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale dhe i uroi atij një mandat të dytë të suksesshëm si shef i shtetit. Ai uroi gjithashtu zgjedhjen e kryeministres së Republikës së Francës, Elizabet Born dhe theksoi se që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 29 vjet më parë, të dy vendet kanë ushqyer marrëdhënie të forta dypalëshe.