Mbetet një detyrë e vështirë por jo edhe e paarritshme që të zëvendësohet aty ku mundet ushqimi dhe prodhimet bujqësore vendore, duke shfrytëzuar përparësitë krahasuese, por edhe të rriten sasitë e prodhimeve bujqësore të freskëta dhe të përpunuara në fabrikat vendore të ushqimit që do të shkojnë në eksport
Nga Fisnik PASHOLLI
Vite me radhë në Maqedoninë e Veriut problemi më i madh në bujqësi ishte plasmani, gjegjësisht, shitja e sigurt e prodhimeve bujqësore, që do të mundësojë që bujqit të jetojnë nga djersa e tyre, apo të mos ju shkojë huq investimi në prodhimtarinë bujqësore apo blegtorale. Gati nuk ka sezon bujqësor në shtet që një pjesë e bujqve të mos kenë problem me shitjen e domateve, mollëve, lakrave, qengjave.
Edhe ditën e martë në Kuvendin vjetor të organizatës më të madhe që përfaqëson dhe mbron interesat e bujqve në shtet, Federatës së Fermerëve, sërish është apeluar për një ndihmë më të madhe nga ana e shtetit për të zgjidhur problemin e plasmanit , jo me masa afatshkurta që zgjidhin përkohësisht pasojat e problemit , por me masa afatgjate dhe sistemore që zgjidhin burimin e problemit. Pritet që me zgjerimin e kapacitete të fabrikave ekzistuese, por edhe me hapjen e fabrikave të reja të normalizohet në periudhën e ardhshme, të përmirësohet shitblerja e sigurt e prodhimeve bujqësore. Pritet që më në fund edhe të ndërtohen më shumë qendra grumbulluese-distributive që do të sigurojnë plasman të sigurt i cili do të mbështetet në analizat e Fakultetit të Bujqësisë në Shkup që do të ofrojë të dhëna të sakta se në çilin rajon si do të zgjidhet çështja e shitblerjes së sigurt, si dhe zgjidhjen e problemit me tepricën e prodhimeve bujqësore.
Prodhuesit e pemë perimeve në shtet, çdo herë e kanë hallin se çka do të bëjnë me prodhimet e tyre, a do të jetë shitja sigurt, e ndershme, afatgjate, a do të shpaguhet mundi i tyre dhe a do të kthejnë të hollat që i investojnë. Praktikat e shteteve të rajonit dhe më gjerë për zgjidhjen e këtij problemi janë edhe hapja e frigoriferëve industrial që shumë pak janë prezent në agro-kompleksin e vendit. Një vëmendje më e madhe për kultivimin e dhenve do të mundësonte që të realizohen në vend 15 milion euro, së paku 30 milion euro në vit nga shitja e qengjave. Bile sipas shoqatave të fermerëve një familje me 150 dhen mund të ketë një jetë të mirë, të rinjtë nuk do të ikin jashtë , por kjo kërkon edhe përmirësimin e kushteve për jetesë të popullatës si dhe kushteve për kultivimin e bagëtisë.
Nevojitet një angazhim më i madh në nivel shteti që paga prej së paku 500 euro të mund të fitohet në bujqësi dhe blegtori , që do të ofrojnë perspektivë për të rinjtë që kanë traditë dhe janë të lidhur edhe me gjenerata për tokën, pa pasur nevojë të marrin mbi krahë valixhen e mërgimtarit.
Nevojitet që gradualisht vit pas viti, me një politikë të mençur dhe afatgjate të mos vijmë në situatë që nesër të mos mund të shfrytëzojmë potencialet përkundër kërkesave të tregut, apo të mos vijmë në situatë që nesër të jetë shumë më e madhe kërkesa për shembull për eksportin e mishit të viçit apo “baby beef”, se sa mund të prodhojnë fermerët vendor. Apo të mos vijmë në situatë që shteti të sigurojë kuota prej për shembull 6000 tonë për eksport në tregun evropian apo 4000 tonë për tregun turk, ndërsa prodhuesit vendor të mos mund të sigurojnë furnizim të përhershëm, stabil dhe afatgjatë me prodhimet e kërkuara blegtorale në treg.
Në këtë drejtim nevojiten edhe analiza më të thella se ku si shtet kemi mundësi të konkurrojmë jashtë në bujqësi dhe blegtori me çmime, sasi dhe cilësi. Na duhet edhe një angazhim më i madhe në mbrojtjen e prodhimeve me emërtime gjeografike dhe rendimin e prodhimeve të ndryshme. Sfidë mbetet në të ardhmen që të orientohet çdo rajon të prodhojë dhe ofrojë brende të ndryshme për shitje jashtë, të rritet oferta duke filluar nga ushqimi i shëndoshë organik, promovimi i prodhimeve, por edhe të sigurohet nga ana e fermerëve një prodhimtari e vazhdueshme apo konstante për blerës të njohur sipas standardeve dhe praktikave më të mira evropiane. Pra, mbetet një detyrë e vështirë, por jo edhe e paarritshme që të zëvendësohet aty ku mundet ushqimi dhe prodhimet bujqësore vendore duke shfrytëzuar përparësitë krahasuese, por edhe të rriten sasitë e prodhimeve bujqësore të freskëta dhe të përpunuara në fabrikat vendore të ushqimit që do të shkojnë në eksport.
Vërtetë jemi pjese e një ekonomie globale, apo si shtet kemi nënshkruar marrëveshje të ndryshme si ato të Organizatës botërore të tregtisë me të cilën në mënyrë të drejtpërdrejt nuk mund të mbrojmë prodhimtarinë vendore bujqësore, megjithatë me një angazhim më të madh për në periudhë prej 4 deri 8 vjet mund të arrihet, që shumë më pak të konsumojmë qumësht nga Bosnje e Hercegovina, djathëra të bardhë apo margarinë nga Gjermania, mish gjedhi apo pule nga Polonia, Austria apo Brazili, apo të ëmbëltohemi verës me verës me akullore nga Serbia, por të shijojmë më shumë prodhimet cilësore vendore të ushqimit. (koha.mk)