Bujqit që prodhojnë grurë si kulturë strategjike për shtetin gjenden në pozitë shumë të rëndë dhe janë mjaft të dëshpëruar nga situata. Ato nuk mund të mbulojnë harxhimet, nuk mund të planifikojnë të ardhurat dhe prodhimtarinë dhe mendojnë bile edhe të heqin dorë nga prodhimtaria e grurit. Andaj kërkojmë që në bazë të Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, në këto kushte kur harxhimet prodhuese janë më të larta se çmimi i tregut, shteti të realizojë grumbullim intervenues
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 gusht – Të mbjellat me grurë këtë vit janë për afër 30 për qind më të ulëta në raport me vitin e kaluar. Gjithashtu sivjet pritet edhe më pak rendimente të grurit më një mesatare prej 200 deri 250 mijë tonë grurë. Bile, të dhënat statistikore tregojnë se në periudhën e kaluar 25-vjeçare janë zvogëluar rendimentet e grurit për afër 35 mijë tonë, shkruan gazeta KOHA. Sipas Entit të Statistikës, në vitin 1991 në Maqedoni janë prodhuar 340.747 tonë grurë, ndërsa 25 vjet më vonë janë prodhuar 306.433 tonë grurë.
Fermerët ankohen se rritja e madhe e kostos së prodhimtarisë së grurit i demotivon të merren me mbjelljen e grurit, ku për shembull – në vitin 1994 një kilogram grurë është grumbulluar me 12.6 denarë së bashku me transportin, ndërsa nafta nuk ka kushtuar as çereku i euros apo 17 denarë, ndërkohë sot nafta kushton afër 1 euro, kurse gruri grumbullohet me 7-8 denarë.
Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë thonë se prodhimtaria kontraktuese duhet të fillojë të funksionojë midis bujqve dhe mullistëve.
Kërkohet edhe vendosja e masës së grumbullimit intervenues të grurit dhe çmim prodhues prej 12 denarë për kilogram për grurin. Në të kundërtën, nga shoqata më e madhe e bujqve në Maqedoni thonë se edhe më tej do të ulen fushat e mbjella me grurë, që për pasojë – do të sjellë import edhe më të madh të grurit dhe miellit në shtet dhe me këtë, do të bëhemi të varur nga importi i grurit si ushqim themelor në shtet.
Bujqit që prodhojnë grurë si kulturë strategjike për shtetin gjenden në pozitë shumë të rëndë dhe janë mjaft të dëshpëruar nga situata. Ato nuk mund të mbulojnë harxhimet, nuk mund të planifikojnë të ardhurat dhe prodhimtarinë dhe mendojnë bile edhe të heqin dorë nga prodhimtaria e grurit. Andaj kërkojmë që në bazë të Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, në këto kushte kur harxhimet prodhuese janë më të larta se çmimi i tregut, shteti të realizojë grumbullim intervenues, thonë nga Federata e Fermerëve.
“Ne kërkojmë që çmimi grumbullues të jetë 12 denarë për kilogram që do të realizohet ngjashëm si në Serbi, ku shteti realizoi të grumbullimin intervenues të grurit gjatë korrjes me çmim të definuar. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi stabilizim të tregut. Njëherazi, bujqit duhet të kenë marrëveshje me grumbulluesit, të dinë çka prodhojnë dhe për çfarë çmimi”, thotë anëtari i Këshillit Drejtues të Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Memet Sinani.
Nga ana tjetër, vlerësohet se edhe moti i keq me breshër, vërshime dhe të tjera kanë ndikuar në uljen e rendimenteve të grurit.
“Korrja është kah fundi, ndërsa ne gjendemi në situatë të palakmueshme për shkak se çmimi i prodhimit është më i ulët se ai prodhues. Nga Ministria e Bujqësisë kanë theksuar se çmimi prodhues është 9.14 denarë, ndërsa nga ana tjetër çmimi grumbullues lëviz prej 7 deri më maksimum 8.5 denarë në Pellagoni”, thotë Stevançe Ordanovski nga Pelagonia.
Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë me një shumë prej katër milionë euro, me rritjen e subvencioneve për grurin e prodhuar dhe të dorëzuar do të ndihmojë si prodhuesit vendor të grurit dhe mullistët.
“Çdo grumbullues i grurit i regjistruar në regjistrin e grumbulluesve që do të blejë grurë vendor të korrjes së vitit 2018 dhe atë më së voni deri më 15 shtator, do të fitojë subvencion prej një denarë për një kilogram grurë. Një hap i tillë pritet të nxisë edhe prodhimtarinë e kontraktuar dhe të përmirësojë konkurrencën e industrisë vendore të miellit. Pritet që për këtë masë të përkrahjes të ndahen afër një milion euro apo 70 milionë denarë, duke marrë parasysh se grumbullimi i grurit në mesatare është 70 mijë tonë”, thonë nga Ministria e Bujqësisë. Pritet që deri më 15 gusht të përfundojë edhe blerja e 13 mijë tonë të grurit vendor për nevojat e rezervave shtetërore.
Risi është se sivjet për herë të parë, lejohen edhe sasi apo “llote” më të vogla, ndërsa bujqit munden në mënyrë të drejtpërdrejtë a shesin grurin tek rezervat shtetërore. Ekzistojnë 10 njësi grumbullimi prej nga 100 tonë dhe tre njësi grumbullimi prej nga 4000 tonë. Masat e fundit pritet të ndihmojë grumbullimin e grurit vendor dhe të nxisë edhe çmimin më të volitshëm grumbullues. Masat e lartpërmendura , dalin pas analizave në sektorët e Ministrisë së Bujqësisë dhe më shumë takimeve që janë mbajtur me prodhuesit e grurit dhe grumbulluesit e grurit apo mullisët. (koha.mk)