Ohër, 30 nëntor – Kompania gjermane e komponentëve automobilistik “Kostal” në kapacitetin prodhues të vet në Ohër planifikon që vitin e ardhshëm kalendarik t’i investojë 18 deri në 20 milionë euro plotësuese në linja të reja prodhuese, ndërsa numri i të punësuarve në fabrikë prej 322 aktual të arrijë mbi 500.
Planet e biznesit të “Kostal” janë që kapacitetet prodhuese në Ohër të zgjerohen në 35 mijë metra katrorë, linja prodhuese me 850 të punësuar dhe qarkullim vjetor i kapitalit në vlerë prej 200 milionë euro.
Në fabrikën e ish “EMO” prodhohen module për pothuajse të gjitha kompanitë botërore automobilistike, gjegjësisht prodhime komplekse të cilat nënkuptojnë personel më të kualifikuar dhe pajisje të sofistifikuar teknologjike.
Drejtori i “Kostal” Viktor Mizo sqaron se sipas kompleksitetit të prodhimit, “Kostal” është në mesin e fabrikave teknologjike më të sofistifikuara në Maqedoni, me prodhim të automatizuar me një robot në dy të punësuar. Derisa qëllimi i kompanisë është të arrihet numri prej një mijë të punësuar, do të thotë se në uzinat në Kosel në procesin e prodhimit do të përfshihen 500 robotë.
Pothuajse 99 për qind e të punësuarve në “Kostal” në Maqedoni janë njerëz nga Ohri dhe Struga, por këtu bëhet fjalë për të punësuarit në vetë procesin prodhues. Kuadri i trajnuar me arsim të lartë nuk mund të gjendet në nivel lokal ashtu që ka inxhinierë teknikë të angazhuar prej qyteteve të tjera.
Sipas Mizos, problemin më të madh në Maqedoni e paraqet moblizimi i fuqisë punëtore, gjegjësisht mungesa e kuadrit të kualifikuar për shërbimin e kapaciteteve prodhuese të larta teknologjike. Pjesa më e komplikuar e gjithë procesit të prodhimit të linjave të tilla të avancuara tekniko progresive dhe prodhimeve është mirëmbajtja, gjegjësisht personeli i trajnuar për atë detyrë që për momentin në Maqedoni është deficitar.
Zgjidhja e problemit me kuadrin e trajnuar për vetë procesin prodhues kërkohet në vendosjen e sistemit dual në arsimin e mesëm profesional. shk/