Shkup, 10 janar – LSDM-ja pret që deri në momentin e votimit për fazën e tretë dhe të fundit të ndryshimeve kushtetuese të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës do të sigurohet shumica prej dy të tretave që është e nevojshme për finalizimin e procesit. Këtë e deklaroi sot në konferencën për shtyp zëdhënësi i LSDM-së Kostadin Kostadinov para fillimit të seancës kuvendore në rend dite të së cilës është faza e tretë e ndryshimeve kushtetuese. Shtoi se vazhdojnë bisedimet me BESË-n rreth kërkesave të tyre në lidhje me ndryshimet kushtetuese, njofton Koha.
“Presim që kolegët tanë dhe të gjithë ne të ngrihemi mbi interesat partiake dhe përfundimisht Maqedonia të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s”, tha Kostadinov.
Nuk theksoi se kur do të ndodhë votimi, duke theksuar se sipas mundësive të rregullores deputetët kanë të drejtë për diskutim, që të shihet se sa deputetë do të paraqiten për diskutim, ndërsa pastaj do të vjen në rend votimi.
Në pyetjen se ku është problemi më i madh në bisedimet mes BESA-s dhe Zaevit dhe që është e papranueshme për LSDM-në, Kostadinov tha se bisedimet vazhdojnë dhe se pritet që të arrihet marrëveshje. Qëndrimi i tij personal është se me ligjin kushtetues është precizuar shtetësia maqedonase/qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe prej këtu, thotë ai, nuk bëhet fjalë për përkatësi etnike dhe përcaktim etnik të qytetarëve.
“Në këtë kuptim, vlerësoj se nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese në këtë drejtim”, shtoi Kostadinov.
Ai, mes tjerash theksoi se lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski dhe Janko Baçev tregohen se cili është kundërshtari më i madh i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.
“Mickoski dhe udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së edhe zyrtarisht janë pjesë e grupit margjinal i cili dëshiron ta minojë të ardhmen e Maqedonisë. Mickoski po punon kundër anëtarësimit në NATO dhe BE, kundër interesave të larta kombëtare dhe shtetërore”, tha Kostadinov.
Shumica e qytetarëve dëshiron që Maqedonia të shkojë përpara që të jetë në BE dhe në NATO, theksoi Kostadinov, duke shtuar se agjenda antiperëndimore nuk kalon dhe kjo qartë shihet përmes mbështetjes së dobët të protestave para Kuvendit. (Koha.mk)