Kosovës i bashkohet edhe një super yll në futboll

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të përforcohet edhe me një futbollist tjetër të talentuar. Bëhet fjalë për mesfushorin ofensivë të Hannoverit, Florent Muslija, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Ai është takuar me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi gjatë ditës së sotme ku është zgjidhur gjithçka dhe do të jetë pjesë e “Dardanëve” në ndeshjet e shtatorit kundër Anglisë dhe Çekisë.

“Unë Florent Muslija zotohem se nga grumbullimi i ardhshëm i Kombëtares së Kosovës në futboll në shtator do të jem pjesë e ekipit dhe me nder e krenari do të barti fanellën e Kosovës”, shkruan në kontratë.

20-vjeçari i lindur në Gjermani është pjesë e Hannoverit, skuadër me të cilën edicionin e shkuar shënoi dy gola në 17 paraqitje. Për U20 e Gjermanisë ka shënuar një gola në pesë ndeshje.

Mulija është shprehur shumë i lumtur që do ta veshë fanellën e Kosovës. “Jam i lumtur që sot i bashkëngjitëm Dardanëve. Do të jap maksimumin për të arritur maksimumin me rezultate. I falënderoj të gjithë, FFK-në dhe familjen time që më ka përkrah gjithmonë”.

Ademi: I lumtur që një dardan iu bashkëngjit Dardanëve

“Sot jam shume i lumtur që iu bashkëngjit një dardan ekipit tone të dardanëve. Ky është Florent Musliu një futbollist të cilit i dihen kualitetet e tij dhe më gëzon fakti që familja e tij dhe ky vet janë dhe kanë qenë të interesuar t’i bashkohen Kosovës dhe të japin kontributin e tyre që Kosova të arrijë rezultate sa më të mira”, u shpreh numri një i FFK-së, Agim Ademi.

“Natyrisht që një falënderim shkon edhe për Fehmi Kongjelin i cili bashkarisht me Besim Zenelin që kanë qenë ata promotorët që kanë biseduar me Florentin dhe kanë ardhë deri këtu ku sot ne e nënshkruajmë marrëveshjen dhe jemi bashkërisht me “Dardanët”, tha ai.

“Shpresoj dhe besoj që rrugës së Florentit do të shkojnë edhe talentë të tjerë të cilët janë me prejardhje nga Kosova dhe faktikisht do ta bëjnë Kosovën atë që ne e kemi ëndërr”. “Ne Dardanët do të vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi dhe Florentit i uroj suksese, shëndet dhe të gjitha të mirat në ekipin tonë. Urime Florent! Faleminderit që e zgjedhe Kosovën”.