Për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, zyrtarë të lartë shtetëror nga mbarë bota e vizitojnë vendin dhe dërgojnë telegrame urimi. Ndër zyrtarët e parë që vizituan Kosovën në këto ditë feste ishin presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, kryeminsitri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, si dhe ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Sigmar Gabriel.
Në këto vizita, nuk mungoi premtimi për përkrahje të vazhdueshme për Kosovën në rrugëtimin e saj shtet ndërtues. Kosovën do ta vizitojnë mbi 60 delegacione nga vende të ndryshme të botës. Shtatë nga to nga Shqipëria. Me rastin e përvjetorit jubilar të Pavarësisë së Kosovës nga sot do të mbahen konferenca, ekspozita, mbledhje solemne dhe aktivitete kulturore.