Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se, për shkak të mosekzistimit të pajtimit mes partive politike për shtyrje të zgjedhjeve lokale për shkak të pandemisë me Kovid-19, ato do të mbahen në terminin e caktuar më parë, më 17 tetor të këtij viti, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Pas takimit të djeshëm me përfaqësuesit e partive më të mëdha në Kosovë, ku u shqyrtuan rekomandimet e Institutit kosovar për shëndet publik (IKSHPK) për ndikimin e zgjedhjeve ndaj situatës epidemiologjike në vend, Osmani deklaroi se qëndrim i shumicës së partive ka qenë se zgjedhjet nuk duhet të shtyhen.
Presidentja e Kosovës tha se e ndjen frikën e partive, por nuk dakordohet me të njejtën.
“Mënyra e vetme për t’u shtyrë zgjedhjet është arritja e konsensusit mes pushtetit dhe opozitës. Unë e respektoj qëndrimin e partive politike, por nuk dakordohem me të. Shtyrja do të ishte më së shumti për dy muaj, me qëllim që t’i jepet kohë personelit mjekësor ta vejë situatën nën kontroll”, deklaroi Osmani.
Shtyrje të zgjedhjeve kërkoi partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në krye të së cilës është kryeministri Albin Kurti, ndërsa kundër ishin të gjitha partitë më të mëdha opozitare, të cilat kryesisht kërkojnë shkurtim të fushatës zgjedhore nga 30 në pesë deri shtatë ditë, e madje edhe heqje të plotë të formave klasike të fushatës me tubime partiake.
Kërkesa e partisë së Kurtit për shtyrje të zgjedhjeve ishte mbështetur nga IKSHPK, i cili, në letrën drejtuar presidentes Osmani, vlerësoi se “mbajtja e procesit zgjedhor, i cili përfshin tubime publike dhe grumbullime të qytetarëve, paraqet rrezik nga përhapja dhe rritja e infektimit nga Kovid-19 dhe si pasojë e asaj rritje e rrezikut nga rastet e vdekjes. Nga ana e opozitës kjo u interpretua si presion ndaj IKSHPK-së nga ana e Kurtit, i cili “frikësohet nga zgjedhjet”, për shkak të gjoja rënies së madhe të rejtingut të partisë së tij.