Shqipëria dhe Kosova do të zhvillojnë vëllazëroren e radhës, por këtë herë në Zvicër, sot (e martë) në orën 20:00. Si trajneri ashtu edhe futbollistët e Kosovës, ndeshjen kundër Shqipërisë, e shohin si test të mirë për ndeshjet që përfaqësuesja i luan në shtator në Ligën e Kombeve të UEFA-s
Në qytetin e bukur të Cyrihut, dy Përfaqësueset shqiptare, Kosova dhe Shqipëria do ta luajnë një ndeshje miqësore. Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Shallandes ka folur për mikrofonat e “Supersport” duke i shpalosur synimet e tija. “Detyra ime është të punoj dhe të përgatis ekipin për ndeshjen kundër Shqipërisë dhe për të qenë gati në muajin shtator. Nuk kemi shumë ndryshime. Është mirë që lojtarët ti kemi të gjithë për tu përgatitur sa më mirë në muajin shtator. Do t’ia jap mundësinë të gjithë futbollistëve”, ka thënë Shallandes.
Sipas trajnerit zviceran synimi është të përgatiten sa më mirë për ndeshjen ndaj Azerbajxhanit. “Është shumë interesante. Për mua jam trajner. Shqipëria është skuadër shumë e fortë, por për mua e rëndësishme është të përgatitemi kundër Azerbajxhanit në muajin shtator. Gjithsesi kam dëshirë ta fitoj këtë ndeshje”, deklaroi Shallandes.
Derisa, Bernard Berisha, mesfushori me tipare sulmuese i Kosovës është shprehur optimist për një ndeshje të bukur dhe plot argëtim për të pranishmit. “Do të jetë një ndeshje si gjithë të tjerat, që do t’i shërbejë trajnerit për të parë gjendjen e lojtarëve. Një ndeshje pa ndonjë rëndësi të veçantë dhe secili ekip do të përpiqet të fitojë. E rëndësishme është që të pranishmit të kënaqen. Si ndaj Shqipërisë, ashtu edhe ndaj çdo kundërshtari tjetër, duhet dhënë maksimumi në fushë për Kosovën. Nëse vjen në ekipin kombëtar me dëshirë, atëherë gjërat shkojnë mirë. Ne po përgatitemi për të dhënë gjithçka në këto ndeshje miqësore që kemi në program”, ka thënë Berisha.
Ndërkohë, për sfidën me Kosovën por edhe atë me Ukrainën ka folur sulmuesi Sokol Cikaleshi. “Ndeshja e parë me Kosovën është disi më interesante, konsiderohet vëllazërore, por do të jetë e luftuar në fushë. Edhe atmosfera në tribunë do të jetë shumë e bukur. Uroj të marrim rezultat pozitiv. Pastaj kemi Ukrainën, ekip disi më i fortë. Jemi ndeshur me këtë skuadër para Evropianit dhe na mundi. Duhet t’i bëjmë gjërat më ndryshe këtë herë. Do të jetë test i mirë për trajnerin dhe lojtarët, për të parë se ku jemi”, deklaroi Cikalleshi.