Në momentin kur NATO është futur në Kosovë (10 qershor 1999) dhe BE ka dërgu adminstratorë e gjykatës, ka pushuar edhe sahati i hegjemonië serbe. Mirëpo nëse vazhdon të kultivohet edhe më tutje kjo përkëdheli e Brukselit kundrejt politikanëve provokatorë të Beogradit, atëherë i bie që segmente të caktuara të BE-së janë shndërruar në sallon rehabilitimi të politikave të vjetra në Ballkan, ku Serbia kishte primatin e luftënxitjeve e gjenocideve.
Emin AZEMI
Po ndodhë një normalizim i njëanshëm i marrdhënieve Kosovë-Serbi. Vjen Vuçiqi në veri të Mitrovicës dhe tregon se cilat janë planet e shtetit të tij për të shtri sovranitetin kulturor e financiar në territorin e Kosovës. Mbi muret e pendës së Ujmanit ngul flamuj serb dhe paraqitja e tij simbolike pranë këtij liqeni iu thotë liderëve të Prishtinës se Serbia është bashkëhisenike e resurseve natyrore të Kosovës. Mbi këta mure nuk kishte shkelë këmba e asnjë politikani të Kosovës dhe kjo nuk kërkon ndonjë sqarim plotësues se cila është harta e përkufizimeve të brendshme. Paralajmërimi i Vuçiqit për qindra milionë euro që do të investojë në vendbanimet serbe, shkon përtej kujdesit normal që duhet të tregojnë të gjithë politikanët për bashkëkombasit e tyre që jetojnë ne shtetet fqinje. Kjo dëshmon edhe njëherë se Vuçiqi jo vetëm që nuk e ka ndërmend ta trajtojë Kosovën si fqi, por as ta njohë si shtet. Këtë e tha në mbarim të vizitës së tij në Mitrovicë. Ai sado që u mundua të adresojë kritika te oponentët e tij të politikës dhe kishës, megjithatë nuk e la pa e përmendur frymëzuesin dhe formësuesin e mendësisë së tij politike- Sllobodan Millosheviqin. Si mos ta përmendte Millosheviqin ai, kur vetëm në kohën e tij politikanët si Vuçiqi dhe çetnikët tjerë mund të bënin karrierë në kurriz të popujve tjerë, përfshi edhe shqiptarët.
Zyrat e Bashkimit Europian në Bruksel të hënën janë kujdesur shumë për mbarëvajtjen e axhendës gërryese të Vuçiqit. Prej andej madje erdhi edhe një brengosje për pengesat që iu bënë atij gjatë lëvizjeve nëpër Kosovën qendrore. Ende në Bruksel ka zyrtarë që besojnë se endjet provokuese të Vuçiqit nëpër Kosovë duhet kuptuar si “liri e lëvizjes”. Ende në Bruksel nuk u dëgjua një zë kritik të shpreh brengosje se pse politikanët e Kosovës nuk mund të vizitojnë lirshëm Preshevën, Bujanocin e Medvegjën dhe pse çdo muaj gati ka ndalime arbitrare të kosovarëve që kalojnë nëpër rrugët e Serbisë.
Si ta kuptojmë këtë gjendje emocionale të zyrtarëve të Brukselit? Si quhet ky sindrom që shkakton brengosje në Bruksel vetëm kur ndonjë zyrtar serb nuk mund të sillet si të dojë në Kosovë? Pse Brukseli po e lejon këtë agresion të butë të politikanëve të Beogradit mbi Kosovën, ndërkohë që ende nuk e ka detyruar Serbinë që ta largojë Kosovën nga kushetuta e saj.
Kosova dhe Serbia nuk mund ti normalizojnë marrëdhëniet në mes veti me qasje të tillë joparimore të Brukselit. Në momentin kur NATO është futur në Kosovë (10 qershor 1999) dhe BE ka dërgu adminstratorë e gjykatës, ka pushuar edhe sahati i hegjemonië serbe. Mirëpo nëse vazhdon të kultivohet edhe më tutje kjo përkëdheli e Brukselit kundrejt politikanëve provokatorë të Beogradit, atëherë i bie që segmente të caktuara të BE-së janë shndërruar në sallon rehabilitimi të politikave të vjetra në Ballkan, ku Serbia kishte primatin e luftënxitjeve e gjenocideve. Gojëkëqinjtë madje mund të thuan se Brukseli po mundohet të relativizojë kontributin amerikan në çlirimin e Kosovës, duke krijuar balanca artificiale ku Rusinë (përmes Serbisë) e nxjerr sërish faktor në rajon.
Europa sërish po luan në kartën e fshehtë të krijimit të realiteteve gjeopoltike pa SHBA-të si faktor vendimtar. Krimeja dhe Kosova kanë vetëm një K të përbashkët në emërtimet e tyre dhe këtu përfundon analogjia. Të gjitha të tjerat janë teori që imponohen për të komplikuar situatën në Ballkan.