Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta.
Periudha e legalizimit fillon nga sot më 17 dhjetor dhe do të zgjasë për gjashtë muaj.
Sipas MPB-së kjo po bëhet për të ulur numrin e poseduesve të armëve ilegale pasi që në shtetin e dalë nga lufta hulumtimet ndërkombëtare kanë nxjerrë si rezultat që në Kosovë gjinden një numër në mes të 240000 dhe 260000 i armëve AVL.
Përmes procesit të legalizimit po synohet që poseduesve të këtyre armëve t’u jepet mundësia për t’i regjistruar ato në mënyra ligjore.
“Ne konsiderojmë qe kjo periudhë është e mjaftueshme që qytetarët tanë të legalizojnë armët e tyre dhe gjatë kësaj kohe ne do te shpërndajmë në mënyrë të vazhdueshme informatat e nevojshme në lidhje me procedurat që duhen ndjekur nga qytetarët për të realizuar këtë të drejtë ligjore”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
“Duke qenë se procesi i legalizimit po ndodh për herë të parë në Kosovë, ne kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët për pengesat e mundshme teknike që mund të ndodhin duke siguruar që ne do të angazhohemi maksimalisht që ky proces te zhvillohet sa më mire që është e mundur”.