Shekerinska realizoi takim me Gotemeler dhe Han
Bruksel, 18 tetor 2018 – Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, sot në Bruksel, pas hapjes zyrtare të procesit të bisedave inkuadruese të Maqedonisë me NATO-n, realizoi takime të ndara me zëvendës-sekretaren e përgjithshme të Aleancës, Rouz Gotemeler dhe me komisarin për zgjerim dhe politikë të mirë fqinjësore Johanes Han.
Siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, Shekerinska në takimet me Gotemeler dhe Han, theksoi se në njëri prej momenteve më të rëndësishme për ardhmërinë e vendit, marrja e ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, vendi është i fokusuar në bisedimet e filluara inkuadruese, duke shprehur pritjes se do të zhvillohen shpejtë, në mënyrë efikase dhe cilësore.
“Jemi përpjekur shumë që Maqedonia të jetë tërësisht e gatshme për negociatat inkuadruese. Kemi përvojë dhe vullnet të madh që këto bisedime të përfundojnë sa më shpejtë dhe paralelisht me realizimin e obligimeve vendore nga Marrëveshja me Greqinë, Maqedonia ta marrë vendin e saj të merituar si anëtare e plotfuqishme e Aleancës”, theksoi ministrja e Mbrojtjes.
Sipas saj, fillimi i bisedimeve inkuadruese është një konfirmim se procesi vazhdon.
“Nuk kemi dilema se jemi në rrugën e duhur”, theksoi Shekerinska në takim me Gotemeler, duke potencuar se qytetarët e Maqedonisë janë të bindur se hyrja në NATO do të thotë stabilitet, siguri dhe prosperitet për tërë rajonin dhe se kjo është një prej çështjeve për të cilat ekziston konsens i plotë dhe bashkim në Maqedoni, theksohet në kumtesën e MM-së.
Ministrja theksoi se Qeveria, kryeministri Zoran Zaev, si dhe një numër i madh i qytetarëve, mbi 600.000 sollën vendim të guximshëm dhe pragmatik që i hap dyert drejt një Maqedonie me prosperitet dhe rajon me prosperitet dhe të sigurt.
“Tani është e nevojshme që vendim të tillë të sjellin edhe ata, të cilin legjitimitet ua jep pikërisht populli, gjegjësisht deputetët në Kuvendin e Maqedonisë”, tha ministrja, duke shprehur pritje se të gjithë deputetët do ta mbështesin perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë.
Në takim, Gotemeler tha se mbështetja nga NATO-ja për Maqedoninë vazhdon dhe se për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nuk ka plan B përveç implementimit të Marrëveshjes së Prespës, duke potencuar se tani gjithçka është në duart e deputetëve – në këtë moment historik ta realizojnë përcaktimin strategjik të Maqedonisë për integrim në NATO.
Në takimin midis Shekerinskës dhe Hanit u konkludua se Marrëveshja e Prespës është garancia e vetme për realizimin e aspiratave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, theksohet në kumtesë.
Ata u pajtuan se radhën e kanë deputetët të cilët duhet t’i tejkalojnë dallimet partiake dhe të veprojnë për ardhmërinë e shtetit.
Qëndrim i përbashkët i Shekerinskës dhe Hanit, siç theksohet në kumtesën e Ministrisë së Mbrojtjes, është se vështirë është të besohet se në të ardhmen do të ketë marrëveshje më të mirë për zgjidhjen e kontestit dhe mundësi më të mirë të Maqedonisë nga e tanishmja