Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj kanë arritur marrëveshje me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jashari për ndërprerjen e grevës në arsim.
Pas tri javë greve, sindikalistët e arsimit janë pajtuar me ofertën e institucioneve për rritjen e koeficionit të pagave që pritet të zbatohet përmes Ligjit për pagat, i cili u tha se do të mundësojë edhe rritjen e pagave përafërsisht në nivelin që e kanë kërkuar mësimdhënësit. Kërkesa e mësimdhënësve ishte që me koeficientin e ri të pagave, pagesat e tyre të rriten deri në 30 për qind.
Bazuar në deklaratat e Veselit, Haradinajt dhe Jasharit, mësimi në të gjitha institucionet para universitare dhe universitare do të fillojë të hënën, më 4 shkurt), duke shënuar kështu fundin e grevës së përgjithshme në sistemin arsimor e cila ka filluar tre javë më parë.
“Të gjithë punëtorëve të arsimit do t’u rritet paga”, ka thënë Veseli gjatë një konference të përbashkët pas takimit.
Kurse kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari, tha se “marrëveshja është shumë e përafërt me kërkesat e sindikatës”. Kështu që, sipas tij, mësimi do të rifillojë të hënën.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se për dallim nga oferta e parë e Qeverisë, oferta e dytë që rezultoi me marrëveshje është shumë e përafërt me kërkesat e sindikatës.
“Është tepër, tepër afër 30 për qindëshit. Nuk është 30 për qind, por kur ka dialog, kur ka negocime duhet bërë edhe kompromise, por po them fitues jemi të gjithë. Është një marrëveshje e mirë, sepse ka lëvizje të koeficienteve dhe angazhimi ynë që të mos jemi mes rangimit një e dy, tani me këto lëvizjet e reja, me veprimet e reja, sistemi para universitar, cerdhet dhe të tjerat kalojnë nga dyshi në tre (koeficienti) dhe kjo është një arritje, që e konsiderojmë të mirë,” tha Jashari.
Jashari ka konfirmuar që mësimi do të ri-nisë të hënën, pavarësisht nëse ligji votohet të shtunën apo shtyhet për ndonjë ditë tjetër, pasi sipas tij, sindikata ka arritur qëllimin e saj që koeficientët e rritur të jenë pjesë e Ligjit për Pagat.
“Patjetër (që mësimi do të nisë të hënën), sepse ky ligj e mbërthen fatin e të gjithëve dhe do të thotë votohet kur votohet, por lufta jonë arriti, po them në nënyrë figurative angazhimet tona dhanë fryte, ngase në këtë projektligj më mirë sesa që ishim dhe unë besoj që deputetët krashi Ligjit për Buxhet do ta votojnë edhe Ligjin për Pagat”, theksoi ai.
Më shumë se 350 mijë nxënës të institucioneve të arsimit para-universitar dhe rreth 70 mijë studentë (në sektorin publik) në Kosovë për 14 ditë më radhë nuk kanë vijuar procesin mësimor, pasi mësimdhënësit e tyre kërkonin rritjen e koeficientit të pagës së paku 30 për qind.
Megjithatë, gjithçka tani mbetet në vendimin e Kuvendit të Kosovës, i cili të shtunën pritet të shqyrtojë dhe miratojë Ligjin për pagat. Aty parashihen koeficientët e pagave për të gjitha kategoritë e sektorit publik.
Pas fillimit të procesit mësimor, i mbetet tani Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të marrë vendim për mënyrën e kompensimit të orëve të humbura.
Valmir Gashi, këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ditë më parë ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se pas përfundimit të grevës, Ministria do të ftojë drejtorët e drejtorive komunale të arsimit dhe në koordinim me ta do të vendoset se cilat janë ditët apo koha më e përshtatshme për të zëvendësuar orët e humbura.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se çdo orë e humbur mësimore, do të kompensohet.