Kosovare Asllani ka thënë se është krenare që është bërë blerja e parë zyrtare e Real Madridit dhe se është e ngazëllyer që do të mundë ta shkruajë historinë duke e bartur, siç e ka quajtur, fanellën më të bukur në botë. Futbollistja e Suedisë, me prejardhje nga Kosova, iu bashkua të enjten edhe zyrtarisht klubit më të ri të grave në Spanjë, Real Madridit, duke u bërë blerja e parë në histori të të bardhave, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
“Jam krenare t’ju njoftojë se unë do të jem blerja e parë zyrtare e Real Madridit/Cd Tacon”, shkroi Asllani në llogarinë e vet zyrtare në Twitter.
Real Madridi arriti marrëveshje me CD Tacon, klubin që sezonin e kaluar e siguroi promovimin në La Liga Iderdrola. Sipas marrëveshjes, Reali e bleu një vend në ligën e nivelit të parë të futbollit të vajzave në Spanjë. Marrëveshja është në vlerë prej gjysmë milioni euro.
Asllani, e cila u transferua nga klubi suedez Linkoping, mezi pret ta nisë rrugëtimin e ri dhe ndërtimin e historisë së një klubi të ri.
“Jam e ngazëllyer që do të shkruaj historinë dhe të ndihmoj në ndërtimin e këtij ekipi nga zanafilla. Do të jetë ëndërr ta veshë fanellën më të bukur në botë nga sezoni i ardhshëm. HALA MADRID”, shtoi ajo.
Atletico Madrid, Barcelona, Real Sociedadi, Athletic Club, Espanyol, Valencia, Sevilla, Real Betis dhe Levante janë disa ndër klubet që garojnë në nivelin e parë të futbollit të vajzave në Spanjë.
29-vjeçarja shkëlqeu në Kupën e Botës këtë verë, duke i ndihmuar Suedisë ta fitojë vendin e tretë.