Kosovari Labinot Markaj ka dalë fitues në garën e parë të Turneut Ballkanik të bilardos të mbajtur në Çaçak të Serbisë. Ai mori vendin e parë në mesin e 91 garuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit. Markaj doli i pari pasi arriti tetë fitore, ndërsa nuk pësoi asnjë humbje. Në finale ai mposhti boshnjakun Sanjin Pehlivanoviq, që në vitin 2017 ishte kampion bote në grupmoshën U-17 në disiplinën “9-ball”. Pjesëmarrja e ekipit shtatë-anëtarësh të Kosovës bëri që ky organizim të mbahej pa flamuj. Në uebfaqen “Cuescore” ku janë shënimet e garave shtetërore dhe ndërkombëtare, vërehet se janë hequr gjithë flamujt.
Kryetari i Federatës së Bilardos së Kosovës, Veton Dyla, ka thënë për Koha.net se kjo federatë s’është pjesë e këtij turneu për shkak të problemit politik me Serbinë. Ai ka thënë se organizatorët nga Bosnja dhe Serbia fillimisht u kanë dëshiruar mirëseardhje garuesve nga Kosova, por më pas ka ndryshuar qasja për shkak të problemeve politike nga ana e Serbisë. Garuesit kosovarë kishin garuar në mënyrë të pavarur, pa logo të Federatës së Kosovës.
“Mënyra e organizimit të garave në nivel ballkanik ka filluar vitin e kaluar si pilot-projekt nga organizuesit Senad Pehlivanoviq nga Bosnja dhe Martin Martinoviq nga Serbia që janë dashamirë të këtij sporti. Në kontaktin e parë vitin e kaluar këta të dy më kanë dëshiruar mirëseardhjen, por disa javë më vonë kanë hasë në probleme politike nga ana e Serbisë. Kështu që sivjet lojtarët tanë morën guximin që të shkojnë në Çaçak por të garojnë në mënyrë vetjake ku edhe u pa që pas hedhjes së shortit është ndërhyrë direkt për heqjen e të gjithë flamujve shtetërorë. Pra, prapë se prapë po përzihet direkt politike në sport. Fatmirësisht lojtari ynë më i mirë, Labinot Markaj, i mposhti dhe fitoi vendin e parë në këtë garë”, tha Dyla për Koha.net.
“Balkan Pool Tour” është turne që mbahet në të gjitha vendet e Ballkanit, përpos Kosovës. Gara e ardhshme zhvillohet në Sarajevë më 3 dhe 4 nëntor.