Grupi i Deputetëve të Pavarur kanë dorëzuar kërkesën për Debat Parlamentar në lidhje me kartonin e gjelbër. Kosova është i vetmi vend në Evropë dhe në rajon, qytetarët e të cilës nuk gëzojnë të drejtën e kartonit të gjelbër.
Deputeti i këtij grupi parlamentar, Faton Topalli, i mbështetur edhe nga deputetët: Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Besa Baftiu, Salih Salihu, Frashër Krasniqi dhe Shqipe Pantina, sot kanë deponuar në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës kërkesë për debat të veçantë parlamentar në lidhje me kartonin e gjelbër.
Në arsyetim të kësaj kërkese theksohet se Kosova është i vetmi vend në Evropë dhe i vetmi vend në rajon qytetarët e të cilit nuk gëzojnë te drejtën e kartonit të gjelbër. Për qytetarët e Kosovës mungesa e kartonit të gjelbër shkakton shpenzim të lartë për çdo udhëtim për në shtetet e Bashkimit Evropian. Edhe qytetarët tanë, që jetojnë jashtë vendit, ballafaqohen gjithashtu me shpenzime të dyfishta për polisa kufitare. Sigurimi i tyre nuk është i vlefshëm për shkak se Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Byrove për Kartonin e Gjelbër në Gjenevë, thuhet në arsyetim. Sikur kjo çështje të ishte e rregulluar, mërgimtarët e Kosovës nuk do të detyroheshin të paguanin asnjë cent shtesë.
Ata deri më tani kanë paguar mbi 200 milionë euro ndërsa kanë përfituar jashtëzakonisht pak. Sa për ilustrim po marrim periudhën prej vitit 2000 deri në vitin 2014.
Të hyrat për polisat e sigurimeve (polisat kufitare) gjatë kësaj kohe kanë qenë 57.784.494 euro, ndërsa dëmet e shkaktuara nga bashkatdhetarët për të njëjtën periudhë 5,660,082. Shpenzimet e përgjithshme pra përbëjnë pak më pak se 10% të shumës që kanë paguar. Në vitin 2014 të hyrat nga polisat kufitare kanë qen 14.7 milionë euro, ndërsa shpenzimet e shkaktuara nga dëmet 1.25 milion, që i bie rreth 8.4 % të shumës së përgjithshme. Nga polisat kufitare për kartonin e gjelbër, kompanitë e sigurimeve kanë arritur fitime marramendëse.
Në qershor të vitit 2001 ishte marrë një vendim nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Byrove në Gjenevë për ta instaluar një model të veçantë për Kosovën për kartonin e gjelbër. Ky vendim nuk u shfrytëzua kurrë dhe nuk u bë asnjëherë publik.
Në shtator të vitit 2011, Byroja Kosovare e Sigurimit ka njoftuar se më 30 shtator 2011 ka paraqitur kërkesën për aplikim në Këshillin e Byrosë për Karton të Gjelbër. Ajo njofton gjithashtu se nga ky institucion është kthyer një përgjigje pozitive, duke dërguar edhe pakon me pyetësorin për aplikim në KBKGJ, të cilin duhet ta plotësojë BSK-ja dhe ta dërgojë në Bruksel para 28 tetorit të vitit 2011. Se çfarë ndodhi më pas nuk ka njoftime konkrete.
Në fillim të muajit prill të vitit 2014, Këshilli i Byrosë Evropiane ishte pajtuar që të lejojë shitjen e kartonit të gjelbër për Kosovën, por marrëveshja nuk u finalizua për shkak të refuzimit nga kompanitë e sigurimit në Kosovë.
Prej kësaj kohe e deri më sot nuk kemi asnjë informacion të saktë dhe publik se çfarë është bërë, ku kanë mbetur bisedimet për implementimin e kartonit të gjelbër dhe cilat janë hapat e planifikuar për këtë çështje.
BQK, në maj të vitit 2015, pas një varg kërkesash në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje uli çmimin e polisave kufitare për 50%. Kjo ulje erdhi me një vonesë prej më shumë se një dekade. Asnjëherë nuk u dha asnjë arsyetim pse një ulje e tillë e çmimit nuk ishte bërë para 3,5 ose 10 vitesh më parë.
Ajo që dihet është gjithashtu fakti që Kosova kishte mundësi të bënte marrëveshje bilaterale me vende të tjera për të rregulluar këtë çështje. Nga 46 shtete të anëtarësuara në Gjenevë, 12 prej tyre kanë vetëm marrëveshje bilaterale. Vendi ynë ka memorandume mirëkuptimi vetëm me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nuk ka ndonjë informacion zyrtar nëse ka pasur përpjekje për marrëveshje bilaterale me vendet prej të cilave vinë shumica e mërgimtarëve nga Kosova, si Gjermani, Zvicra, Austria, Franca apo vendet Skandinave.
Polisa kufitare, respektivisht kartoni i gjelbër është bërë monopol i kompanive të ndryshme të sigurimeve. Kjo bie në kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve (Neni 4, pika 1.1, 1.2 dhe 1.5 e Ligjit të Konkurrencës dhe Pika 13 e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, ligje këto të cilat kanë për qëllim ruajtjen nga monopoli, sigurimin e çmimeve reale dhe mbrojtjen e konsumatorëve).
Situata në të cilën ndodhemi duket të jetë e mjegullt. Kuvendi i Kosovës duke qenë organ mbikëqyrës mbi BQK, Autoritetin e Konkurrencës dhe të Konsumatorëve duhet ta analizojë situatën dhe të marrë rekomandimet e nevojshme për të dalë nga kjo situatë dhe për të vënë në binar drejtimin e zgjidhjes së problemit për të cilin është ftuar debati.
Parashtruesit e kërkesës për debat qëllimisht nuk kanë bërë rekomandime paraprake. Rekomandimet duhet të vinë pas përfundimit të debatit nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike duke u mbështetur mbi diskutimet dhe rekomandimet që do të jepen gjatë debatit, thuhet në arsyetim.