Kosovare Krasniqi, shqiptarja e re që fitoi çmimin e “Më të Mirës” në Valencia (FOTO)

46

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i prodhuar nga “Circle Production” me bashkëproducentë Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën

Ani pse e re në sferën e artit, aktorja, Kosovare Krasniqi, ka arritur që përmes rolit të saj në filmin “Në kërkim të Venerës”, të fitoj disa çmime në evenimente ndërkombëtare. Së fundmi, Krasniqi, ka rrëmbyer çmimin e “Aktores më të mirë” në edicionin e 36-të të Festivalit prestigjioz të Filmit në Valencia të Spanjës, për rolin e saj në filmin “Në kërkim të Venerës”. Gjithsesi, jo gjithçka nisi rastësisht! Kosovarja, që në moshë të vogël është tërhequr nga arti, ku si fëmijë i vogël, skiconte e shkruante shumë. Madje, ta pakta nuk ishin as shfaqjet të cilat ajo i përgatiste për t’i prezantuar pranë prindërve të saj, ndërsa me kalimin e kohës e kuptoi që aktrimi është e ardhmja e saj, ëndrra që do ta përcjelli drejt një realiteti të ndritur.

Në një intervistë për Albanian Post, Krasniqi rrëfen se si erdhi deri tek përzgjedhja për t’u bërë pjesë e filmit “Në kërkim të Venerës”, pasi që ajo nuk kishte përvoje profesionale më herët.  “Përzgjedhja ime në filmin “Në kërkim të Venerës” është bërë përmes audicionit të takimeve të shumta që kisha me regjisoren e filmit. Ajo ishte e qartë ne mendimet e saj dhe ma besojë këtë rol edhe pse unë nuk kisha asnjë eksperiencë në film ose teatër më parë”, thotë Kosovarja. “Në kërkim të Venerës” është një film me regji të Norika Sefës, që zhvillohet në një fshat kodrinor të Kosovës e që ndjek ngjarjen e një adoleshenteje fjalëpakë që quhet Venera, e cila jeton në një shtëpi të vogël me prindërit e saj, dy vëllezërit me të rinj dhe me gjyshen e saj. Jashtë ka shumë pak për të parë dhe shijuar dhe shumica e lëvizjeve të saj përcillen nga vëllezërit e saj, nipërit ose fqinjët që e ruajnë atë dhe “reputacionin e mirë” të familjes.

Por, Venera ëndërron për një të ardhme më ndryshe dhe shpirti i saj gjallërohet kur ajo bëhet shoqe me rebelen Dorina. Regjisorja e filmit, eksploron në thellësi zhvillimin seksual dhe mental të Venerës, pa hezituar të portretizojë ngacmimet e zakonshme që asaj i bëhen nga moshatarët dhe prindërit. Për Albanian Post, Krasniqi, tregon se xhirimet e filmit kishin zgjatur pothuajse një muaj dhe mirëseardhja nga pjesa e tjetër e kastit kishte qenë e ngrohtë.

“U zhvendosëm për në Kaçanik, ku edhe janë bërë xhirimet e filmit, të cilat kanë zgjatur 30 ditë. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur dhe kasti i aktorëve ka qenë i mrekullueshëm, kemi bashkëpunuar gjatë tërë kohës . Të gjithë e ndihmonim njëri tjetrin, dhe kishim shumë dashuri ndaj filmit”, tha ajo. Që nga publikimi, filmi “Në kërkim të Venerës”, ka korrur suksese të vazhdueshme nëpër festivale të ndryshme, e pa shpërblyer nuk ka mbetur as vetë aktorja e re, Kosovare Krasniqi.

“Filmi ka rezultuar mjaftë i suksesshëm dhe shpresoj që njëjtë të vazhdoj. Një nga çmimet që i është ndarë filmit e që unë do ta veçoja ka qenë ai në festivalin e Rotterdamit , sepse ishte çmimi i parë dhe gëzimi i parë. Përveç kësaj edhe festivali i Rotterdamit është shumë prestigjioz”, tregon Krasniqi. Marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Spanjës dihet që nuk janë edhe të mira, prandaj kjo e fundit nuk e njeh Kosovën si shtet tash as tani, 13 vjet që prej kur vendi u shpall shtet. Por, relacionet politike nuk ndikojnë në art dhe këtë më së miri e ka dëshmuar, triumfi i çmimit “Cinema Love”, në Valencia të Spanjës. “’Cinema Love’ , ishte shumë i papritur për mua. Ishte emocionues fakti që një kulturë e tillë na vlerësojë të gjithëve, pasi që meritat e këtij çmimi shkojnë edhe për Norikën dhe për gjithë ekipin”, është shprehur Kosovarja. Ndryshe, “Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i prodhuar nga “Circle Production” me bashkëproducentë Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën.

Filmi, gjithashtu, është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës dhe nga ajo e Kaçanikut dhe për këtë projekt Qendra Kinematografike e Kosovës ka ndarë 200 mijë euro. Në film pos, Kosovare Krasniqit luajnë edhe Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj e disa të tjerë. Filmi “Në kërkim të Venerës”, mbetet projekti i parë profesional i filmit dhe i vetmi për Kosovaren, ndërsa ajo ka treguar se është e fokusuar në studimet e saj dhe po punon fort në realizimin e ëndrrave në tërësi.