Kosovare Asllani ndihet e lumtur dhe e privilegjuar që është nominuar në mesin e 20 kandidateve për ta fituar çmimin prestigjioz individual, Topi i Artë. Kosovare Asllani po i shijon momentet më të mira të karrierës së saj, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Futbollistja kosovare shkëlqeu në Kampionatin Botëror të futbollit të femrave duke e fituar medaljen e bronztë me Suedinë. Ajo madje u konsiderua nga mediat edhe si lojtarja më e mirë e këtij evenimenti, i cili u mbajt në Francë.
Among the nominees for the 2019 Women's #ballondor ⤵️@KosovareAsllani@CD_Tacon pic.twitter.com/CaL787Ywgw
— France Football (@francefootball) October 21, 2019
Për këtë, Kosovarja u nderua edhe nga gazeta prestigjioze “France Football”, e cila e futi atë në mesin e 20 kandidateve për ta fituar Topin e Artë.
“Ndihem e nderuar që jam në mesin e 20 të nominuarave për çmimin Topi i Artë”, ka shkruar Asllani në rrjetet sociale.
Ky çmim prestigjioz individual do të ndahet më 2 dhjetor të këtij viti në Paris.
Falë paraqitjeve mbresëlënëse në Botëror, ku shënoi tre gola, Asllani e fitoi një kontratë edhe nga Real Madridi, ku u transferua gjatë verës.
Asllani është futbollistja e dytë kosovare që futet në garë për ta fituar Topin e Artë.
Vite më parë, Fatmire Bajramaj, tash Lira Alushi, ishte futur në mesin e tre kandidateve për ta fituar Topin e Artë për femra.