Kosova do ta zhvillojë një ndeshje miqësore me Suedinë muajin e ardhshëm në Katar, njofton Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Takimi miqësor, i pari për Kombëtaren dardane kundër Suedisë, do të zhvillohet më 12 janar në Doha, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Kjo do të jetë ndeshja e parë e Kosovës pas rreth një muaji e gjysmë dhe vjen dy muaj para dy ndeshjeve mbase më të rëndësishme në historinë e ekipit kombëtar që prej pranimit në UEFA dhe FIFA më 2016.
Në nëntor, verdhekaltrit e drejtuar nga Bernard Challandes dështuan ta siguronin pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian Euro 2020 përmes kualifikimeve, pasi i humben dy ndeshjet e fundit në grup kundër Republikës së Çekisë dhe Anglisë.
Megjithatë, ndeshja ndaj Suedisë do të vijë si një test i lehtë, edhe pse mund të jetë herët të thuhet, për ndeshjet e marsit në play-off të Ligës së Kombeve, në përpjekje për t’u kualifikuar në turneun e verës përmes një rrugë dytësore.
Trajneri zviceran pritet t’i ftojë për herë të parë disa lojtarë nga klubet e Ipko Superligës së Kosovës për këtë miqësore.
Kosova do të përballet me Maqedoninë e Veriut në një ndeshje gjysmëfinale në udhëtim dhe nëse fiton, do ta luaj edhe një ndeshje finale kundër fituesit të duelit Bjellorusi – Gjeorgji në fund të muajit mars.