Emin AZEMI
Një gazetar i huaj këto ditë e përshkroi Kosovën me pak fjalë, në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së saj: Organizimi i shtetit ka mbetur i papërfunduar. Institucionet janë në duar të një elite politike që janë të prirë për ta pasuruar veten dhe përcjellësit e tyre. Partitë janë të një sistem të vërtet klientelist, ku besnikëria përkthehet në vende punë dhe në pozita.
Ky përshkrim i shkurtër i gjendjes momentalë në Kosovë, nuk mund të thuhet se vjen nga një i huaj që nuk i njeh rrethanat. Ose, nuk mund të thuhet se ai është i motivuar nga ndonjë grupim politik që nuk ia do të mirën Kosovës.
Merre si ta marrësh, këtij përshkrimi nuk i mungon qasja racionale dhe çdo kush që mundohet ta shtrembëroj këtë qasje, do të bënte lajthitjen më të madhe të vetvetes dhe të të tjerëve. Vetëm ndonjë strukturë e lidhur me qeveritë, tash e në të kaluarën, mund të sheh optimizëm në rrugën e zhvillimit të Kosovës. Por, pjesa tjetër që është mbi 80 për qind e popullatës, ende vuan pasojat e logjikës partizane, ku i fort i lagjes dhe i katundit bën ligjin, kurse tenderët janë shpërblimi më i mirë për ata që në emër të Kosovës bëjnë biznes dhe largojnë investitorët që të rigjenerojnë ekonominë e vendit.
Treguesit ekonomikë thonë se Kosova ka deficit të lartë tregtar, si pasojë e mungesës së kapaciteteve prodhuese që reflektohet në eksport, i cili është shumë inferior kundrejt importit, kryesisht të produkteve nga Serbia. Patriotizmi megaloman i politikanëve me alltia që nuk kursejnë rafale fishekësh nëpër synetia e ndeja primitive odash, është i rezervuar vetëm për ndonjë kundërshtar të brendshëm politik, por jo edhe për ekspansionin tregtar të Serbisë, dhe për evazionin fiskal që kryhet në veri të Kosovës. Ka të ngjarë që ky evazion i pakontrollueshëm që ka licencë Beogradi, të ketë ndikuar edhe në evazionin moral të politikanëve në Prishtinë. Gojët e këqija thonë se veriu i Mitrovicës ka vite që është njëfarë Eldoradoje e mangupëve në Prishtinë, të cilët herë vishen në petkun e gazetarëve, herë të politikanëve, e herë të mafiozëve.
Ky klonim i interesave të ngushta klanore të mangupëve të Prishtinës në karta patriotike, ka rrezikuar seriozisht konkurrencën reale të ideve e projekteve, të cilat luftohen ende pa dalur në sipërfaqe.
Dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës do ta festojnë të gjithë, por jo të gjithë do të kenë mundësi të presin miqë, siç po bëjnë politikanët, duke i shndërruar odat e tyre në zyra qeveritare, gjoja në emër të racionalizimit të shpenzimeve publike.
Organizimi i shtetit ka mbetur i papërfunduar, thotë kolegu gazetar që vjen nga jashtë, dhe na vjen të plasim kur ai konstaton se institucionet janë në duar të një elite politike që janë të prirë për ta pasuruar veten.
“Shtet i papërfunduar? Si i bie kjo? Kemi dëgjuar për udhë të papërfunduar, për shtëpi të papërfunduar, për projekt të papërfunduar, por rrallë kemi hasur në sintagmë që asocon në shtet të papërfunduar. Kjo është si të thuash: njeri i papërfunduar.
Merita më e madhe e atyre që duhej ta përfundonin shtetin e Kosovës, si duket ishte të ushqenin rubrikat e rezervuara të shtypit të Beogradit me kronikat për Kosovën ku në të shumtën e rasteve ajo cilësohej si KINSE ose GJOJA shtet.
Meqë Kosova nuk arriti të çlirohet prej armiqve të saj të brendshëm, atëherë ndjellakeqësitë e armiqve të jashtëm ngandonjerë do të na hynin në punë si refernca për të zhgënjyerit që mezi presin të liberalizohen lëvizjet njëdrejtimëshe jashtë vendit.