KSHZ ka huazuar nga Komisioni i Zgjedhjeve të Kosovës 1500 llamba UHV për shkak se kompania furnizues nuk e ka përmbushur obligimin për furnizim me llamba UHV, por ka ofruar llamba me dritë të thjeshtë që nuk tregon nëse një votues ka votuar njëherë gjatë ditës së zgjedhjeve, ose jo
Destan JONUZI
Shkup, 18 prill – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka anuluar tenderin për furnizim me UHV llamba për zgjedhjet presidenciale, për arsye se kompania e cila ka fituar tenderin, ka dorëzuar në KSHZ llamba me dritë të thjeshtë ngjyrë vjollce, por pa UHV reflektim që tregon se një votues ka votuar njëherë. E gjendur në një situatë të tillë, ku brenda një jave duhet të mbahen Zgjedhjet Presidenciale, KSHZ shpëtim ka gjetur te KSHZ e Republikës së Kosovës, nga e cila ka huazuar 1500 llamba UHV, shkruan gazeta KOHA.
“KSHZ ka në dispozicion numër të konsiderueshëm të llambave, të cilat do të përdoren ditën e zgjedhjeve. Kemi bashkëpunim edhe me KSHZ-në e Republikës së Kosovës, nga të cilët kemi huazuar 1500 llamba ultra violete, dhe gjithsej kemi rreth 8 mijë llamba, të cilat janë në gjendje të mirë, gjendje të sigurt dhe ato do të përdoren ditën e zgjedhjeve. Informacionet tuaja që i keni lidhur me UHV llambat i keni pjesërisht të sakta. Sa i për ketë gabimit që është bërë nga kompania, e cila e mori faktikisht Furnizimin Publik, mirëpo ato llamba nuk i pranoj KSHZ-ja. Do të përdoren llambat, të cilat i disponojmë, do të përdoren edhe llambat të cilat janë të huazuara nga KSHZ-ja e Kosovës. Këtë do ta konfirmoni edhe vet ju në terren. Nuk do të ketë asnjë lloj problemi, janë çështje teknike me kompaninë e cila është dashur të sigurojë llambat të ndryshme nga këto që janë aktualisht, mirëpo ato llamba nuk do të përdoren sepse KSHZ-ja as që i ka pranuar nga kompania”, deklaroi për gazetën KOHA, Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.
Të pyetur nga gazeta KOHA se a është anuluar tenderi për furnizim me UHV llamba, në KSHZ u përgjigjen se është anuluar vetëm pjesa e llambave. Nga këtu mund të konstatojmë se kompania në fjalë emrin e së cilës, nuk deshën ta bëjnë publike nga Komisioni i Zgjedhjeve, ka marrë tenderë edhe për furnizime tjera përveç llambave UHV. (koha.mk)