Sikur edhe shumë ngjarje të tjera, historike ishte quajtur marrëveshja fillestare për menaxhimin e integruar të kufirit mes Kosovës e Serbisë, në fundin e vitit 2011.
Më shumë se 7 vjet më vonë, marrëveshja, përveçqë nuk është implementuar nga ana e Serbisë, ka gjasa të mëdha që të çojë dëm edhe miliona të pashfrytëzuara, të dedikuara për realizimin e saj.
KTV-ja ka dërguar një sërë pyetjesh në drejtim të zyrës së përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, për mosimplementimin e marrëveshjes nga ana e Brukselit dhe nëse kjo çështje është ngritur si shqetësim në dialog.
“Ne nuk kemi pranuar ndonjë ankesë nga autoritetet kosovare”, ka qenë përgjigja e shkurtër e zëdhënëses Maja Koçiançiq.
Por, një përgjigje të tillë e konsideron të pakuptimtë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj.
Xhemajlaj rikujton se 2 prej 3 objekteve të përbashkëta që kanë qenë obligim i Kosovës, janë thuajse të përfunduara, derisa e treta, ajo në Bërnjak, nuk ka filluar shkaku i pengesave nga autoritetet serbe.
E, tri objektet që kanë qenë obligim i Serbisë, ato në Jarinjë, Dhe të Bardhë dhe Muqibabë, nuk kanë filluar asnjëherë.
E, sipas Edita Tahirit, qeveria e Ramush Haradinajt nuk ka treguar interes për dialogun dhe marrëveshjet që ishin arritur, çka, sipas saj, ka çuar në ngecje të implementimit.
Mekanizmi i ankesës, sipas Përparim Kryeziut, nuk është shfrytëzuar nga qeveria e Kosovës, jo vetëm nga ajo e fundit.
Kryeziu rikujton se, përveç ngecjeve me marrëveshjen e IBM-së, Serbia ka shkelur detyrimet për të cilat ishte pajtuar edhe në rastin e marrëveshjes për energji, atë për drejtësi dhe për lëvizje të lirë. (KTV)