“Kosova, përralla e madhe e një vendi të vogël”

21

Faqja zyrtare e kompanisë Volkswagen – që ka qenë përkrahëse e futbollit gjatë vitit të fundit, si partnere e Federatës së Futbollit të Gjermanisë dhe ekipit kombëtar të Gjermanisë – e ka publikuar një artikull të veçantë për arritjet e ekipit kombëtar të Kosovës, të cilin mund ta lexoni në vijim.

Kosova ka qenë anëtare e UEFA-s vetëm për tre vjet. Tani i mungojnë vetëm dy fitore dhe vendi i vogël i Ballkanit do të jetë i kualifikuar për Kampionatin Evropian 2020. Por, deri te kjo ngjarje përrallore, ata e kanë pasur një rrugë të vështirë, shkruan Volksëagen, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

Më 3 maj të vitit 2016, tentimet dipolomatike të Kosovës u shpërblyen. Aplikimi për anëtarësim ishte 300 faqe i gjatë dhe Kosova u pranua si anëtarja e 55-të në Kongresin e UEFA-s në Budapest. Me 28 vota për, 24 kundër dhe dy abstenime, rezultati ishte i afërt, por kjo s’e dëmtoi festën: Delegacioni kosovar dhe gazetarët që kishin udhëtuar me ta u përqafuan, duke u rrjedhur lotët. “Ishte shumë emocionale”, kujton sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Që nga atëherë, në vendin e vogël ballkanik, me vetëm rreth 1.8 milion banorë, ka pasur një eufori për futbollin. Kur u pranua në UEFA, Kosova nuk e kishte asnjë stadium që i përmbushte kriteret ndërkombëtare. Ndeshjet si vendase i luante në qytetin e Shkodrës në Shqipëri. Por, pastaj, më në fund u rinovua stadiumi Fadil Vokrri në Prishtinë dhe trajneri Bernard Challandes u emërua selektor. Si rrjedhojë Kosova e arriti një ecuri prej 15 ndeshjeve radhazi pa disfatë. Në Ligën e Kombeve e fitoi grupin në Ligën D dhe pastaj ishte mbresëlënëse në Grupin A të kualifikimeve për EURO 2020. “Është e mrekullueshme, i kemi kaluar të gjitha pritjet tona”, shtoi Salihu.

Në fakt, suksesi i kësaj skuadre të re është pothuajse përrallor. Vetëm para 25 vjetëve, futbolli në Kosovë i takonte ekskluzivisht livadheve dhe arave. Kur Kosova ishte ende pjesë e Jugosllavisë dhe më vonë Serbisë, shqiptarët e kishin themeluar një lloj shteti paralel: nxënësit mësoheshin në shtëpitë-shkolla, të sëmurët trajtoheshin në klinika të improvizuara dhe futbollistët shqiptarë u larguan nga liga jugosllave në vitin 1991 dhe e filluan ligën e tyre. Goli i parë u shënua më 13 shtator nga Eroll Salihu. Ai më herët kishte luajtur në ligën elitare të Jugosllavisë me Prishtinës, por këtë gol e konsideron “një moment historik” në karrierën e tij.

Megjithatë, kësaj lige alternative ilegale i mungonte gjithçka. Stadiumet zyrtare në Kosovë ishin në duart e Serbisë. Por, përkundër që ndeshjet zhvilloheshin nëpër livadhe, ato shpeshherë ndiqeshin nga mijëra tifozë. Automjetet e ndryshme me të cilin vinin skuadrat shërbenin si zhveshtore. Policia serbe tentonte t’i ndalonte këto ndeshje, duke i arrestuar ata që merrnin pjesë. Por, Federata e Futbollit e Kosovës, që ende s’ishte zyrtarisht e njohur, vazhdonte të organizonte ndeshje deri kur filloi lufta në vitin 1998, që përfundoi një vit më vonë falë intervenimit të NATO-s. Eroll Salihu veçse ishte shpërngulur në Gjermani, aku luajti për Ëilhelmshaven në ligën regjionale dhe mori licencën e trajnerit. Ai u kthye pas pesë vjetëve. “Kosova është vendi im”, thotë ai.

Kosova veçse e kishte një ekip kombëtar atëherë, por nuk kishte kundërshtar me të cilët mund të luante. Në nivelin ndërkombëtar, vendi që ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara ishte i izoluar. Kjo situatë nuk ndryshoi as pasi Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën provincë të nadrë dhe e ka mbështetjen për këtë nga Rusia. Pesë vende të BE-së – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro – ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Deri vonë, edhe vetë popullësia e Kosovës s’ishte e lidhur me ekipin e tyre kombëtar, pasi që ata e mbështetnin ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Në vitin 2006, Salihu u bë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës. Sfidat me të cilat u përball në ato kohë ishin të mëdha: nuk kishte para, infrastrukturë, ndeshje apo ekipe konkurruese. Një gjeneratë e plotë ishte humbur në Kosovë shkaku i situatës në vitet e 90-ta, që është arsyeja pse lojtarët filluan të mblidheshin nga vendet evropiane perëndimore. Një gjeneratë e re e talentuar u gjet në ligat gjermane, zvicerane, belge e norvegjeze – ku luanin fëmijët e refugjatëve kosovarë. Disa prej tyre kishin luajtur për grupmoshat e vendeve ku jetonin, por pastaj e ndryshuan Kombëtaren dhe iu bashkuan Kosovës. “Ne nuk patëm nevojë t’i bëjmë presion askujt”, theksoi Salihu. Nuk u pajtuan të gjithë ta bëjnë këtë ndryshim, por në fund ishte e mjaftueshme.

Kur erdhi suksesi, kosovarët e zbuluan papritmas dashurinë e tyre për ekipin e vet kombëtar. Për Salihun, problemi më i madh është se si të zgjidhet problemi me kërkesat e mëdha për bileta. Kur Anglia e vizitoi Kosovën në nëntor të vitit të kaluar, 135 mijë njerëz dëshiruan ta shikojnë ndeshjen në stadiumin ku janë vetëm 13 mijë ulëse.

Edhe pse Kosova s’u kualifikua përmes Grupit A në EURO 2020, mund ta arrijë këtë përmes play-offs. Në mars, hapi i parë për Kosovës drejt EURO 2020 do të jetë në gjysmëfinalen kundër Maqedonisë Veriore, ndërsa në finale mund t’i presë Bjellorusia ose Gjeorgjia. “S’mund ta imagjinoj çfarë mund të ndodhë. Vendi do të përmbysej”, thotë Salihu.

Eroll Salihu shpreson që suksesi sportiv do t’i ndihmojë Kosovës të marrë njohje zyrtare nga vende të tjera. “Ne jemi pjesë e Evropës dhe duam të jemi të barabartë”, tha sekretari i përgjithshëm, duke e ditur se kjo gjë mbetet dyshim vetëm në politikë. Bota e futbollit s’ka nevojë të bindet pas paraqitjeve të Kombëtares së Kosovës. Sa i përket futboll, Kosova ka arritur në Evropë.

Comments are closed.