“Kosova është një bebe. Është vetëm dyvjeçare. Ka shpresa për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar. Duhet të rrimë të qetë, duhet të bëjmë çmos për të fituar, por duhet të jemi të qetë dhe të kujdesshëm. Kosova ka të ardhme. Mua më duhet të rri shumë i qetë. Për një shans për kualifikim në Evropian ose në Botëror duhet të përgatitemi për disa vite. Kjo nuk bëhet për një ditë, për një javë ose për një muaj”, deklaroi Challandes
Përfaqësuesja e Kosovës ka të ardhme të ndritshme, por momentalisht është ende “e vogël” për të synuar diçka të madhe. Kështu mendon përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, i cili thotë se po mundohet ta ndërtojë një ekip solid, i cili do të mundë të arrinte suksese në të ardhmen, shkruan gazeta “Zëri”. Verdhekaltrit morën pjesë për herë të parë në kualifikimet e “Botërorit 2018” pas pranimit të Kosovës në UEFA e në FIFA më shumë se dy vjet më parë. Euforia ishte e madhe, mbi të gjitha pas barazimit me Finlandën në udhëtim, por më pas pasuan nëntë humbje të cilat i zbritën “Dardanët” me këmbët në tokë. Edhe tash ekziston një optimizëm i madh në vend për Ligën e Kombeve, por trajneri zviceran i ka qetësuar prapë kosovarët duke ua përkujtuar atyre se ky është vetëm fillimi. Sipas tij, nevojitet një periudhë pak më e gjatë për të synuar kualifikim në kompeticionet më të mëdha të futbollit për përfaqësuese. Sidoqoftë, ai është i bindur se ekipi i tij po shkon në rrugën e duhur për ta bërë këtë arritje historike.
“Kosova është një bebe. Është vetëm dyvjeçare. Ka shpresa për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar. Duhet të rrimë të qetë, duhet të bëjmë çmos për të fituar, por duhet të jemi të qetë dhe të kujdesshëm. Kosova ka të ardhme. Mua më duhet të rri shumë i qetë. Për një shans për kualifikim në Evropian ose në Botëror duhet të përgatitemi për disa vite. Kjo nuk bëhet për një ditë, për një javë ose për një muaj”, deklaroi Challandes. Trajneri zviceran këshillon lojtarët e tij t’i harrojnë paraqitjet dhe rezultatet e mira në miqësoret e fundit dhe të përqendrohen në ndeshjet zyrtare që i kanë përpara tyre.
“Deri më tash kemi pasur rezultate mjaft të mira dhe kemi bërë lojëra të mira. Duhet të mësohemi me suksese dhe me fitore. Këto fitore janë të mira, por edhe të rrezikshme, sidomos për Kosovën në Ligën e Kombeve. Nëse mendojmë që jemi favoritë, do të gabohemi”, ka shtuar ai. Ai ka kërkuar respekt ndaj kundërshtarëve dhe nuk mendon se Kosova është favorite në këto duele. “Kundërshtarët tanë Malta, Azerbajxhani e Ishujt Faro nuk janë Kroacia, Anglia ose Belgjika, por asnjë ekip i madh nuk ka arritur t’i mposhtë Ishujt Faro 6:0 për shembull. Edhe Azerbajxhani është ekipi më mirë i klasifikuar në listën e FIFA-s”, përkujton ai. “Ne nuk duhet të mendojmë që jemi shumë të fortë dhe që mund të fitojmë lehtë pasi e kemi mundur Shqipërinë. Duhet të jemi të kujdesshëm”, përfundoi Challandes, i cili shprehet i brengosur sa i përket mbrojtjes, pasi pjesa dërrmuese e lojtarëve të kësaj pozite nuk po luajnë në ekipet e tyre dhe po kanë vështirësi.