Me aktivitete të shumta, në Kosovë po shënohet 28 Nëntori, Dita e Flamurit të shqiptarëve. Liderët politikë, kryesisht e kanë nisur ditën dhe aktivitetet e tyre me homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, në Prishtinë, kompleksi memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz dhe vende tjera të rëndësishme për historinë e Kosovës dhe shqiptarëve.
“Nëntori i ka dhënë gjithmonë shpirt historisë sonë. Por, krenaria kombëtare, lidhja shekullore dhe vendosmëria e popullit tonë, më së miri përbashkohen rreth Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor”, ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në rrjetin social Facebook.
“Dhe sot, simotra të pandashme, Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane. Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë!”, ka shkruar Thaçi.