Çka fiton Kosova? E para, mbyllet kontesti shumëvjeçar me Serbinë rreth vetë Kosovës, por dhe mbyllet çështja e asociacionit të komunave serbe… E dyta, gjëja më e rëndësishme, është se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, këtë pastaj do ta bëjnë edhe Rusia e Kina, me çka pranohet zyrtarisht në OKB. E treta, mund të bie pakoja e Ahtisarit dhe me këtë edhe pengesa për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, që është synimi shumëshekullor.
Nga Daut DAUTI
Në Ballkan po fryjnë erëra të reja apo kjo është një përshtypje e gabuar? Nuk e kam fjalën për atë lloj erërash që sjellin furtunë, edhe pse edhe kjo mund të ndodhë, por për atë lloj ere që është si frymë. Pra, po “fryn” një frymë e politikanëve “guximtarë” dhe “përgjegjës”, të cilët nuk denjojnë t’u rreken problemeve më të rënda që të tjerët nuk kanë guxuar t’i mendojnë e lere më t’i vënë në tavolinë. Me këtë lloj guximi, dy kryeministrat relativisht të rinj në moshë të Greqisë dhe Maqedonisë, arritën të tejkalojnë kontestin dy dekadë e gjysmë të vjetër, ndërsa gjurmëve të tyre, sikur ecin edhe Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq. Në drejtim të normalizimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht “kualitetit” të marrëveshjeve ndërfqinjësore, pavarësisht (mos)kënaqjes së synimeve të palëve, vetë mbyllja e çështjeve, është një hap i madh. Diplomati Edvard Xhozef mund të ketë të drejtë kur thotë se kryeministrat Zaev e Cipras meritojnë çmimin Nobël, ndërkaq unë do të kisha shtuar të presim edhe pak, ndoshta këtë do ta meritonin edhe Thaçi me Vuçiqin.
Edhe pse kontesti greko-maqedonas zgjati më shumë seç ndodhin bisedimet serbo-kosovare për një varg çështjes, prapë se prapë çështja e Kosovës mund të jetë shumë më problematike dhe më e rëndë për t’u zgjidhur, edhe pse siç janë nishanet kohëve të fundit, maratona e pritur ka gjasë të përfundojë si një sprint paksa i zgjatur, por që shpejt do të përfundojë në cak. Ndoshta këtë vjeshtë.
Të gjitha rrugët shpijnë nga një opsion. Drejt opsionit më pak të dëshiruar, prej të cilit të gjithë iknin si prej djallit, por që realisht është më i mundshmi dhe më me perspektivë! Kundërthënëse, por ashtu. Është për t’u habitur se bajrakun e këtij opsioni tash për tash e valëvit më shumë kryetari i Kosovës se sa ai i Serbisë! Edhe pse ky i dyti kishte thënë se së shpejti do të dalë me idetë e tij, me konkretizim më të madh se sa me gjuhë diplomatike, doli i pari, pra, Hashim Thaçi. Vetëm sa u përmbyll debati në parlament për ta mandatar si kryenegociator në bisedimet me Serbinë, ai shumë qartë e bëri të ditur çka donte të thoshte “kompromisi i dhembshëm” që ishte në platformën e bisedimeve. Ai paralajmërimet e disa mediave se tashmë në lojë është ndarja e Kosovës, i elaboron këto ditë aq butë e lehtë, sa të duket se nuk është fjala për ndarje të Kosovës, por për atë të Serbisë. Është një lloj gjuhe ezopiane për të përgatitur popullin se diçka do të ndodhë, pra, “kompromisi i dhembshëm”!
Hashim Thaçi u gjet nën rrebesh kritikash e dyshimesh, si nga opozita, si nga mediat, por ai e nisi turrin verbal para pubikut kosovar, duke e sfiduar dhe atë serb. Është çështje marrëveshjeje me Vuçiqin, apo një taktikë e tipit “ta them sa s’ma ke thënë”, ndoshta dhe për të fituar ndonjë përparësi në vrapin para cakut, sidoqoftë, Thaçi po prin. Atë që shumëkush e quajti ndarje të Kosovës, Thaçi e quajti “korrigjim kufijsh”, medemek, si ajo marrëveshja me Malin e Zi me atë klauzolën nëse kemi gabuar diku, ta korrigjojmë. Ndarja e Kosovës për t’ia dhënë Serbisë komunat me shumicë serbe, që do të ishte një kompensim i vogël për Beogradin për humbjen e Kosovës, tingëllon shumë shokante për kosovarët, ndaj në këtë ping-pong strategji të lojës së fjalëve, Hashim Thaçi futi “korrigjimin” në territorin serb, për t’i vënë në tavolinë Preshevën dhe komunat e Luginës. Si argument për këtë mund të merret fakti se ato pas luftës së dytë botërore i kishin takuar Kosovës! Nga ana tjetër, Vuçiqi në këtë rashomoni opsionesh, serbëve u kishte thënë se diçka duhet të bëhet sot, që nesër të mos vijmë në situatë të negociojmë për Vranjën…Që domethënë, çfarëdo zgjidhje e tashme, sado e dhimbshme, mund të jetë më e mirë se sa më vonë. Sigurisht deshi serbëve t’ua futë frikën nga murtaja e bardhë(nataliteti i ulët) që nesër do të jetë edhe më keq për ta populluar atë territor, ndërkohë që mund të rritet numri i shqiptarëve. Natyrisht, ajo që flet Thaçi dhe që flet Vuçiqi, janë një përgatitje e publikut për zgjidhjen e “gjëegjëzës”. E gjëegjëza ka një opsion real: nëse Serbia do të insistonte me çdo kusht që t’i marrë “me vete” komunat serbe të Serbisë, për palën kosovare do të ishte krejtësisht e papranueshme nëse si kompensim nuk merr komunat shqiptare të Luginës së Preshevës. Ky do të ishte një kompromis më pak i dhembshëm për Kosovën, sepse nëse territorialisht do të jepte më shumë se sa do të merrte(këtë proporcion tash për tash mund ta supozojmë) të paktën do të fitonte pak territor dhe më shumë popullsi prej Serbisë, që është një përfitim i madh.
Hashim Thaçi nuk mund të pretendojë se gëzon një përkrahje gjithë popullore në Kosovë dhe kompromisi që mund ta bëjë, nuk mund ta bartë vetë mbi supe! Njerëzit rreth tij, nga kryetari i Parlamentit(njeri i tij), deri te kryeministri Haradinaj (partner koalicioni), herë ka përkrahje, e herë merr nga ndonjë deklaratë që duket krejtësisht e kundërt me të tijën. Në këtë fushatë për ndarje ose korrigjim kufiri, atij iu desh dhe e fitoi përkrahjen nga niveli shumë i lartë akademik e intelektual, pra, aminin e akademikut Rexhep Qosja, ndonëse vetë kryetari i Akademisë, Nexhat Daci, u prononcua kundër. Përfshirja e Rexhep Qosjes në këtë debat, mund të mos jetë e rastit, pasi ai që para disa vitesh kishte thënë se më mirë Serbisë t’i jepet një 5-10 për qind e territorit dhe me këtë fitohet njohja e ndërsjellë, se sa të vazhdojë kjo gjendje pa njohje nga ana e Serbisë. Ai kësaj radhe i kritikoi i ashpër të gjithë kritikuesit e kompromisit, duke bërë hap radikal në pranimin e të drejtës së vetpërcaktimit si serbëve të Kosovës ashtu edhe shqiptarëve të jugut të Serbisë.
Edhe pse Hashim Thaçin e kanë kritikuar për shumë lëshime ndaj Serbisë, se bisedimet teknike i ka shndërruar në politike, prapë se parapë besoj se nuk ka politikan shqiptar i cili me qejf do t’i kishte hyrë një aventure, pa pasur parasysh kontekstet më të gjera gjeostrategjike, të cilat bien në sferën e diplomacisë së fshehtë. Sigurisht kreu kosovar është i njoftuar mjaft mirë për këto kontekste, në dallim nga patriotët e sinqertë folkloristë, që janë larg këtyre zhvillimeve. Ndonjëherë, siç thonë shahistët, duhet të flijosh një “këmbësor”, që të fitosh një mbretëreshë. Besoj se kjo është duke u zhvilluar në prapaskenën e bisedimeve për kufijtë e Kosovës.
Pa hyrë në debatet tjera se çka nënkupton korrigjimi i kufijve me këmbim territoresh për rajonin, duhet të shihet çka fiton Kosova. E para, mbyllet kontesti shumëvjeçar me Serbinë rreth vetë Kosovës, por dhe mbyllen debate rreth temave si asociacion komunash serbe, rreth kompetencave (ligjvënëse ose ekzekutive) të tij. Pastaj, e dyta, gjëja më e rëndësishme është se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, që pastaj do ta bëjnë edhe Rusia e Kina, me çka pranohet zyrtarisht në OKB. E treta, mund të bie pakoja e Ahtisarit dhe me këtë edhe pengesa për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, që është synimi shumëshekullor.
Por, ndoshta e gjithë kjo lojë me gjoja këmbim territoresh, në momentin e fundit shndërrohet në mosprekje kufijsh, që të mos reflektohet në Bosnje, Maqedoni por dhe më të gjerë, edhe pse të gjitha nishanet janë se megjithatë, është që kontesti të mbyllet me qëllim që Serbia të mos humbë gjithçka nga Kosova, e Kosova të ketë kompensim të barasvlershëm.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)